Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi/ Foto: Atdhe Mulla

Presidenca Rrit Shpenzimet për Paga dhe Udhëtime, Telashe me Tenderë 

Të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për 2016 tregojnë se Presidenca ka rritur dukshëm shpenzimet, por probleme ka me procedurat e prokurimit publik.

Në vitin 2016, buxheti final në raport me buxhetin fillestar ishte rritur për afër gjysmë milioni euro (452,626€).

Me vendim te Qeverisë, buxheti final për paga dhe mëditje në krahasim me buxhetin fillestar është rritur për 96 mijë euro

“.. me ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punë është rritur numri i stafit politik dhe mbështetës në kabinetin e Presidentit. Po ashtu është shtuar edhe pensioni për ish Presidenten pas përfundimit të mandatit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Po ashtu rritje ka pasur edhe në buxheti final për mallra dhe shërbime në raport me buxhetin fillestar ishte rritur për afër 370 mijë euro. Këtu hyjnë edhe shpenzimet për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit.

“Krahasuar me vitin 2015 shpenzimet janë rritur për 275,610€. Këto shpenzime kanë të bëjnë me rritjen e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit për shkak të aktiviteteve të shtuara të Presidentit, shpenzimet e ndryshme intelektuale dhe këshillëdhënëse si dhe shpenzimeve me rastin e inaugurimit të Presidentit”, thuhet në raport.

Ndërsa buxheti për shpenzime komunale dhe ai për subvencione dhe transfere, në raport me buxhetin fillestar është zvogëluar.

Presidenca ka dobësi në vlerësimin e tenderëve

Sipas këtij raporti, Presidenca ka dobësi në raport me vlerësimin e tenderëve.

E gjetura e Auditorit thotë se tek aktiviteti i prokurimit “Shërbimet e autolarjes së veturave zyrtare të ZPKsë”, kërkesat për përshtatshmëri teknike dhe profesionale të operatorëve ekonomikë të vendosura në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë, gjatë vlerësimit të ofertave nuk kishte marrë parasysh kërkesat e dosjes së tenderit dhe ishte shpërblyer me kontratë pa u vlerësuar fare oferta për përshtatshmëri teknike dhe profesionale.

“Kjo kishte ndodhur për shkak të mos përgjegjësisë nga komisioni i vlerësimit dhe mos mbikëqyrjes adekuate nga udhëheqësi i prokurimit. Rreziku Shpërblimi me kontratë i OE në mungesë të plotësimit të kritereve rrit rrezikun që OE fitues të mos posedojë kapacitetin e mjaftueshëm teknik dhe profesional për kryerjen e shërbimeve për të cilat është kontraktuar dhe si pasojë mund të dështojë në kryerjen e shërbimeve”, shpjegon ky raport.

Po ashtu auditori ka gjetur se ka mos respektim të procedurave për procedimin e pagesave.

“..shpenzimi i parave publike, neni 21 përcakton procedurat e përgjithshme për procedimin e pagesave, ku hapi i parë është kërkesa për blerje. Megjithatë, tek pagesa për furnizim për zyre në vlerë 6,010€ e datës 05.08.2016, procedimi i pagesës nuk është bërë në përputhje me këtë rregullore pasi që fatura ishte e datës 24.04.2016 ndërsa kërkesa për furnizim nga njësia kërkuese ishte e datës 19.07.2016, ose afro tre (3) muaj, pas faturës”, është gjetja e radhës.

Mos respektimi i procedurave për procedimin e pagesave respektivisht furnizimi pa kërkesë paraprake nga njësia kërkuese, rrit rrezikun për furnizime të panevojshme dhe në këtë mënyrë dëmtohet buxheti.

Po ashtu Auditori ka gjetur se Presidenca ka mungesa e evidencave të plota për përdorimin e automjeteve zyrtare.

“ZPK-ja nuk kishte përgatitur ndonjë raport sa i përket shpenzimeve të servisimit dhe larjes së automjeteve. Ndërsa sa i përket shpenzimeve të derivateve kishte përgatitur raporte individuale, mirëpo shënimet nuk ishin plotësisht të sakta. Në katër (4) raste ne vërejtëm mospërputhje ndërmjet të dhënave të raportuara dhe dëshmive mbështetëse”, shkruan raporti.

Në vlerësimin e rrezikut thuhet se mos mbajtja e evidencave të sakta për shpenzimet e automjeteve mund të ndikojë që kostoja e shpenzimeve të jetë e lartë dhe menaxhmenti të mos këtë informata të mjaftueshme për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për përmirësimin e menaxhimit të tyre.

Po ashtu, raporti ka gjetur se Presidenca ka vonesa në pagesën e faturave/obligimeve, si dhe mos raportim të obligimeve të papaguara.

Në konkluzionet dhe rekomandimet e Auditorit për Presidencën thuhet se zbatimi i rekomandimeve të vitit paraprak nuk është adresuar siç kërkohet për zhvillimin dhe përmirësimin e organizatës.

“Dobësi të cilat kërkojnë përmirësim janë vërejtur te aktivitetet e prokurimit, në procedimin e pagesave., si dhe në menaxhimin dhe raportimin e obligimeve”, thuhet në raport.