Objekti i Ministrisë së Arsimit

Premtimi i Pambajtur i Ministrisë së Arsimit

Këta 13 nxënës në gjimnazin matematikor udhëtojnë nga komunat tjera të vendit, ndërsa paratë iu premtuan për shpenzimet e udhëtimit.

Ky premtim nuk është realizuar nga ana e MAShT-it ndërsa njëri nga prindërit e këtyre nxënësve e ka raportuar këtë problem në KALLXO.com duke u ankuar se nxënësve u takon kjo e drejtë.

Drejtori i kësaj shkolle Shemsi Berisha thotë se kjo shumë është premtuar që dy vjet, ndërsa tregon se ka zhvilluar takime me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, por nuk e di pse nuk është bërë pagesa.

“ Unë besoj se Ministria e Arsimit do ta kryejë obligimin e vet të cilin e ka marrë, ndoshta nuk duhet të shkonte kaq gjatë për nxënësit që është dashtë të paguhen, por kjo është kompetencë e ministrisë dhe besoj se kjo do të kryhet,” shpjegon Berisha.

Ai tregon  se prindërit janë ankuar shumë herë për këtë rast.

“Kam qenë në hall si drejtues i këtij institucioni sepse kam pasur ankesa nga prindërit edhe nga nxënësit, ata kanë menduar se edhe unë kam faj në këtë çështje,” thotë drejtori.

Valon Pllana, nxënës i kësaj shkolle, shpjegon për KALLXO.com se bashkë me shokët e tij janë ankuar në Ministri të Arsimit, por sipas tij gjithmonë nga ajo marrin përgjigje të njëjta.

“Nuk ma merr mendja që do ta plotësojnë këtë premtim,sepse është kohë shumë e gjatë që e kanë bërë këtë premtim dhe nuk ka asnjë ndryshim,” thotëPllana.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajramin, i cili e pranoi se kjo shumë u takon këtyre nxënësve.

“Nxënësit e Gjimnazit Matematikor duhet të kenë një trajtim të veçantë duke pasur parasysh nevojën që ka Kosova për një gjimnaz të ekselencës apo të talenteve të rinj, është e vërtetë që nuk kemi arritur deri tani të bëjmë këtë pagesë, por si ministër do të punoj me të gjitha masat që të gjejmë një fond ndoshta nga kursimi i ministrisë dhe do fillojmë me pagesën e këtyre nxënësve,” zotohet Bajrami.

Për një muaj MAShT-i është dashur të paguajë 650 euro për trembëdhjetë nxënës, ndërsa tani pasi që kjo pagesë nuk është bërë që nga fillimi, ministrisë i duhet të paguajë 15 mijë e 600 euro për dy vjet.

Bajrami thotë se këtë pagesë do ta bëjë posa t’i vijë mundësia.

“Me rastin e rishikimit të buxhetit do të gjejmë fonde që të realizohet ajo komponentë që këta të marrin këtë shumë simbolike, ose si një subvencion, ose një formë burse,” premton Bajrami.

Gjimnazi Matematikor në Prishtinë ka filluar punën para tre vjetësh si një prej shkollave më të specializuara. Primare në këtë shkollë është zbulimi i matematikanëve të rinj të talentuar.

Kjo shkollë ende nuk është emëruar, e sipas drejtorit të shkollës kjo është kompetencë e MAShT-it dhe Komunës së Prishtinës.

Për problemet tjera të këtij gjimnazi, Gazeta “Jeta në Kosovë” shkroi në vitin 2014.

Shkolla e Dështuar Elitare e Ministrit Buja