Presidenti serb Aleksandër Vuçiq takon zyrtarë amerikanë gjatë vizitës së tij të fundit në mars 2015. Foto: BETA

Premtimet e Shkelura të Vuçiqit Ndaj Amerikës

“Duhet t’ju vijë turp nga vetja. Çfarë mendoni? Se do të lejoj dikë të më qëllojë në kokë?”

OJQ-të dhe gazetarët serbë janë mësuar me sulme të tilla nga presidenti Aleksandër Vuçiq. Por ambasadori amerikan në Beograd jo.

Ofendimi i Vuçiqit erdhi pasi ambasadori amerikan Kyle Scott dhe Fatos Bytyqi me të drejtë pyetën pse i dyshuari kryesor në vrasjet e pazgjidhura të tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyqi në vitin 1999 është ende njeriu më i besuar i Vuçiqit.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, ambasadori Scott nuk tërhiqet lehtë para qëndrimit të zymtë të Vuçiqit, duke quajtur së fundmi një tabloid të lidhur me qeverinë, “plehra të zakonshme, siç do të thoshte kryeministri juaj”.

Përpjekjet e dobëta për të zgjidhur plotësisht djegien e Ambasadës së ShBA-së në Beograd në vitin 2008 i kanë munduar marrëdhëniet. Serbia e Vuçiqit dhe Shtetet e Bashkuara gëzojnë një partneritet të shkëlqyer në një sërë drejtimesh. Por loja e Vuçiqit në çështjen Bytyqi duhet të jetë në fokusin kryesor të një vizite në Shtëpinë e Bardhë që i është ofruar atij nga zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence.

Gjatë asaj vizite, Pence duhet t’i bëjë Vuçiqit një pyetje të thjeshtë: Kur do ta respektoni përsëri Amerikën?

Vuçiq e nisi reputacionin e tij në lidhje me zgjidhjen e çështjes, fillimisht duke premtuar se do ta zgjidhte këtë deri në fund të verës 2014 dhe më vonë deri në mars 2015. Më pas, në një takim në qershor 2015 në Shkollën Ndërkombëtare të Studimeve Johns Hopkins në Uashington, ai e quajti atë “detyrë” të Serbisë dhe u zotua se çështja do të zgjidhej “shumë shpejt ose më shpejt nga sa mund të prisnin”. Në takimet private, ai u ka bërë premtime të ngjashme zyrtarëve amerikanë, përfshirë një Sekretari Shteti dhe një zëvendëspresidenti.

Megjithatë, tre vjet më vonë, Vuçiq nuk ka bërë asgjë tjetër veçse e ka bllokuar këtë çështje.

Vuçiq e mban të dyshuarin kryesor për vrasjet e vëllezërve, Goran “Guri” Radosavleviq, nën mbrojtjen e tij. Një anëtar i lartë i Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit, Radosavleviq ishte në komandën e Policisë në Petrovo Selo, Serbi, ku vëllezërit Bytyqi u ekzekutuan dhe u varrosën.

Radosavleviq mohon çdo përfshirje në këtë ngjarje. Ai thotë se ishte me pushime gjatë vrasjeve – një pretendim i çuditshëm duke qenë se ka të dhëna që tregojnë se vajza e tij adoleshente në atë kohë vizitoi kampin e largët gjatë atyre datave.

Gjithashtu, në arkivat e Qeverisë nuk tregon asnjë kërkesë për pushime dhe Radosavleviq nënshkroi një faturë dorëzimi për në Petrovo Selo rreth kohës kur u kryen vrasjet.

Pavarësisht kësaj, provave të tjera dhe presionit të vazhdueshëm nga familja Bytyqi, diplomatë amerikanëKongresit të ShBA-së dhe dhjetëra ekspertësh ndërkombëtarë dhe OJQ-sh, Vuçiq ka refuzuar të ndërmarrë qoftë edhe hapat më të thjeshta kundër Radosavleviqit, siç është pezullimi i menjëhershëm i tij nga partia.

Masa të tjera kanë qenë po ashtu ofenduese. Javën para vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë në qershor 2015, një pikë referimi në atë kohë, ministri i Drejtësisë i Vuçiqit njoftoi se Qeveria kishte gjetur dhe përpunuar “prova të reja” në çështjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi. Më vonë u zbulua se hetuesit amerikanë dhe serbë kishin disa vjet që i dinin këto prova.

I njëjti shpërqendrim u përdor përsëri disa muaj më vonë, kur prokurorët serbë njoftuan se Vuçiq do të shkonte në Uashington me “prova të reja”. Të dyja njoftimet ishin mashtrime të pastra – lëvizje të ulëta për ta bërë Shtëpinë e Bardhë të Obamës të pëlqente Vuçiqin. Prisni më shumë ose të njëjtën gjë kur Vuçiq të kthehet në Uashington.

Së fundmi, Vuçiq u mburr duke thënë se do të dërgonte dy ministra të kabinetit të merrnin në pyetje dëshmitarë dhe të dyshuar të mundshëm në këtë çështje.

Megjithatë, të dy ministrat ishin anëtarë besnikë të partisë së tij politike dhe asaj të Radosavleviqit. Njëri organizoi një festë “mirëseardhjeje në shtëpi” për një tjetër kriminel lufte të dënuar. Tjetri ishte ministri që bëri mashtrimin me “provat e reja” para vizitës së qershorit 2015. Secili ishte i paragjykuar në mënyrë të pashmangshme.

Por Vuçiq arriti një tjetër lloj niveli të ulët kur sulmoi ambasadorin amerikan dhe familjen Bytyqi, duke u thënë atyre se “duhet t’u vijë turp” që i kërkojnë atij të marrë masa kundër Guri Radosavljeviçit.

I nxitur nga mbështetja e Vuçiqit, Radosavleviq tani ka filluar të japë intervista dhe t’u përgjigjet pyetjeve rreth çështjes Bytyqit, diçka që ai e shmangu me maturi për një dekadë.

Pavarësisht të gjithë kësaj, liderët e kaluar të Shteteve të Bashkuara e kanë vlerësuar vazhdimisht Vuçiqin. Por presidenti i ShBA-së, Donald Trump dhe zv/presidenti Pence kanë premtuar një tjetër lloj lidershipi, i cili do ta “bëjë Amerikën të respektuar përsëri dhe do ta bëjë Amerikën përsëri të madhe”.

Derisa Vuçiq të ndërmarrë hapa të besueshme për të zgjidhur vrasjet e vëllezërve Bytyqi, ai nuk e meriton të konsiderohet një partner i përgjegjshëm për Shtetet e Bashkuara. Ai nuk i respekton vazhdimisht zyrtarët dhe qytetarët e ShBA-së duke treguar mungesë respekti dhe duke luajtur me rastet e tre amerikanëve të vdekur.

Besueshmëria dhe respekti nuk kanë çelës që ndizen dhe fiken. Ose Vuçiqi mban fjalën e tij ose mbetet me kriminelët që vranë tre amerikanë.

Praveen Madhiraju është këshilltar pro bono për BytyqiBrothers.org dhe mund të gjendet në Twitter në @BytyqiBrothers.

Tanya Domi është një ndihmës profesoreshë çështjesh ndërkombëtare dhe publike në Columbia University, ku jep mësim për të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor dhe mund të gjendet në Twitter në @tanyadomi.

Opinionet e shprehura në sektorin e komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e BIRN.