Gjykimi për vrasjen në tentativë | Foto: KALLXO.com

Pranon Fajësinë për Vrasje në Tentativë

Florim Alija i cili akuzohet për veprën penale vrasje në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, ka pranuar fajësinë.

Florim Alija akuzohet për ngjarjen e cila kishte ndodhur në maj të vitit 2015 në Prishtinë, ku për shkak të një mosmarrëveshjes së mëparshme disa herë kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të Fatbardh Abazit.

Për pranimin e fajësisë u deklarua edhe avokati i të akuzuarit, Asdren Hoxha.

“Është në përputhje me shkresat e lëndës, është e vullnetshme dhe e njëjta duhet të pranohet nga ana e gjykatës”, tha avokati mbrojtës i të akuzuarit, Hoxha.

Gjykatësi Hamdi Ibrahimi miratoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Por prokurorja Ferdane Sylejmani kërkoi nga gjykata që  Alisë t’i vazhdohet masa e paraburgimit, me arsyetimin se ende ekziston mundësia e arratisjes të tani të akuzuarit për shkak të peshës së rëndë të veprës penale.

Avokati Hoxha reagoi ndaj kërkesës për vazhdim paraburgimi me fjalët se prokurorja nuk arriti ta arsyetojë atë.

“Prokurorja nuk qe e aftë që të arsyetojë ligjërisht kërkesën e saj për vazhdimin e masës së paraburgimit dhe si pasojë e mosdhënies së arsyeve të mjaftueshme ligjore për vazhdimin e kësaj mase, duke përdorur fraza dhe hipoteza, konsideroj se kërkesa e saj është e pabazuar dhe e paarsyetuar”, tha Hoxha.

Avokati shtoi se kanë pushuar të gjitha arsyet ligjore për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurisë në procedurë, andaj edhe i propozoi gjykatës që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

Po ashtu, Hoxha kërkoi nga gjykata që si rrethanë lehtësuese të merren në konsideratë një sërë arsyesh, e sidomos ajo se askush nga veprimi i të mbrojturit të tij nuk është dëmtuar, por vetëm është goditur një pjesë e veturës.

I akuzuari i premtoi gjykatës se pas shpalljes së aktgjykimit nuk do të arratiset.

Ndërkaq, në seancën e radhës do të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Alija akuzohet se më 15 maj të vitit 2014 rreth orës 16:00 në Prishtinë në Rrugën “Vëllezërit Fazliu”, po sa e ka parë të dëmtuarin Abazi, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme, me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta, duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit disa herë me armë zjarri dhe më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Për këtë, Alija ngarkohet me veprën penale vrasja në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.