Gjykata Themelore në Gjilan

Pranon Fajësinë për Terrorizëm në Tentativë

Në fillim të seancës së sotme të akuzuarit Zejnullahu iu caktua Mursel Ahmeti, avokat i ri sipas detyrës zyrtare, pasi mbrojtësi i mëparshëm i tij Rrahmon Kastrati njoftoi gjykatën që nuk mund të jetë i pranishëm në gjykimin e sotëm.

Por Mentor Zejnullahut sot nuk iu ndryshua vetëm avokati. Edhe Zejnullahu ndërroi mendimin në lidhje me fajësinë a pafajësinë e tij.

Avokati i ri i Zejnullahut Mursel Ahmeti tha se i mbrojturi i tij ka ndryshuar mendimin nga seanca fillestare dhe tash e pranon fajësinë për veprën penale që i ngarkohet.

Agim Ademi kryetar i trupit gjykues e pyeti të akuzuarin se a e pranon fajësinë me vullnet dhe pa ndikim.

Zejnullahu tha se fajësinë e pranon me vetëdije dhe pa presion.

“E pranoj fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohem, pranimin e kam bërë vullnetarisht dhe jam penduar që kam kryer këtë vepër,” tha Zejnullahu para gjykatës.

Prokurori Elez Blakaj e pranoi pastaj deklarimin e të akuzuarit për fajësinë, pastaj edhe gjykata e aprovoi këtë pranim fajësie.

Pastaj fjalën përfundimtare e dhanë prokurori special dhe avokati i të pandehurit.

“Pranimi i fajit nuk është proces mekanik dhe as nuk duhet të shihet si strategji për matjen e dënimit, por kjo ka të bëjë me pendim,” tha prokurori Blakaj në fjalën përfundimtare.

Ndërsa avokati Mursel Ahmeti kërkoi dënim nën minimumin ligjor për të mbrojturin e tij.

“Propozoj që mbi faktet që i njëjti është relativisht i ri, që po ashtu gjendja e tij ekonomike nuk është e mirë, pasi gjatë verës ai punon punë të krahut me familjen e tij, kërkoj nga gjykata që pas vlerësimit të këtyre fakteve të zbusë denimin dhe t’i shqiptojë dënim më të ulët sesa parasheh ligji,” tha Murseli.

Pas fjalëve përfundimtare, kryetari i trupit gjykues njoftoi palët se nesër do të jepet verdikti gjyqësor për Mentor Zejnullahun.

Sipas Prokurorisë Speciale, Zejnullahu më 29 gusht të vitit të kaluar ishte nisur drejt Tiranës me qëllimin për të shkuar në Turqi e më pas në Siri për t’iu bashkuar ISIS-it, por udhëtimi i tij kishte përfunduar në Aeroportin “Nënë Tereza” të kryeqytetit shqiptar, pasi ai nuk ishte lejuar të udhëtojë nga Policia e Shqipërisë.

Aktakuza sqaron se në deklarimin e tij në prokurori Zejnullahu kishte thënë se para një viti kishte nisur t’i kryejë ritet fetare së pari në xhaminë e fshatit Tërpezë të Vitisë, e pastaj edhe në atë “El Kudus” të Gjilanit ku ndiqte ligjëratat e imamit të akuzuar për rekrutim në terrorizëm Zeqirja Qazimi.

Qazimi u dënua me dhjetë vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 maj.

http://kallxo.com/denohet-zeqirja-qazimi/

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për gjykimin e Mentor Zejnullahut.

http://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-per-terrorizem/

http://kallxo.com/akuzuari-nuk-e-dija-qe-isis-eshte-grup-terrorist/

http://kallxo.com/drejt-sirise-per-heqje-te-fukarallekut/