Rakip Avdyli | Foto: Kallxo.com
Pranon Fajësinë për Shtytje në Vepra Terroriste
Rakip Abdyli, i akuzuar për veprën penale shtytje për vepra terroriste, sot në seancën fillestare në Gjykatën Themelore të Pejës e ka pranuar fajësinë.
Avdyli fajësinë e pranoi pasi iu lexua aktakuza nga prokurorja, Merita Bina Rugova, dhe pas konsultimit me avokatin e tij mbrojtës, Sefer Morina.
“Po e pranoj veprën, po nuk e kam bërë me qëllim. E kam kuptuar që është ndesh me ligjin kur jam arrestuar, edhe jam penduar për veprën”, tha i akuzuari.
Sipas aktakuzës, Rakip Abdyli si përkrahës i organizatës terroriste “ISIS” për disa muaj përmes internetit ka bërë thirrje që në emër të xhihadit të kryhen sulme terroriste, kundër Qeverisë së Kosovës dhe ambasadave ndërkombëtare.
Prokurorja Merita Bina- Rugova gjatë leximit të aktakuzës tregoi se çfarë ka thënë Avdyli në një incizim me titullin “Në Tokën e Shqiponjave do të Vijë Hilafeti”.
Në këtë incizim, sipas prokurores Avdyli bën thirrje për sulme vetjake e në grupe, duke kërkuar të kapen armët për të sulmuar qeverinë dhe ambasadat.
Sefer Morina, avokati i Rakip Avdylit kërkoi nga trupi gjykues që kur ta marrë vendimin për të mbrojturin e tij të ketë parasysh pranimin e fajësisë si rrethanë lehtësuese.
“E veçmas rrethanat posaçërisht lehtësuese për zbutjen e dënimit në minimumin e paraparë sipas dispozitave përkatëse të KPK-së”, tha Morina.
Prokurorja kërkoi nga gjykata vazhdimin e paraburgimit për Avdylin me arsyetimin se ekziston rreziku i ikjes së tij dhe bashkimit me organizatat terroriste në Siri, ndërsa kërkesën e prokurores e kundërshtoi avokati i Avdylit.
Trupi gjykues paralajmëroi se sot do ta marrë vendimin rreth Rakip Avdylit.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga arrestimi i Rakip Abdylit deri tek pranimi i fajësisë së tij para gjykatës.
http://kallxo.com/foto-ekskluzive-arrestuari-per-terrorizem-ne-gjykaten-e-pejes/
http://kallxo.com/rakip-abdyli-pendohet-ne-gjykate-per-veprimet-e-tij/
http://kallxo.com/aktakuze-per-kosovarin-e-dyshuar-per-shtytje-per-vepra-terroriste/