Pranon Fajësinë për Pjesëmarrje në Grupe Terroriste

Jetmir Bushi e pranoi fajësinë për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Jetmir Bushi e pranoi sot fajësinë për organizim dhe pjesëmarrje në grupet terroriste në gjykimin ku po akuzohet bashkë me nëntë persona tjerë.

NDËRLIDHUR

Rideklarimin në lidhje me fajësinë e kërkoi avokati i Bushit Avni Ibrahimaj.

“[T’i mundësohet] Klientit tim që të deklarohet përkitazi me pranimin ose mospranimin e fajësisë për veprën penale e cila ngarkohet me aktakuzën e prokurorisë”, ishte kërkesa e avokatit Ibrahimaj drejtuar trupit gjykues.

Pastaj Bushi e konsideroi veten fajtor.

“E pranoj në tërësi fajësinë për veprën penale e cila më vihet në barrë me aktakuzë”, interpretoi gjyqtarja pranimin e fajësisë nga Bushi.

Prokurori Abdurrahim Islami i propozoi trupit gjykues miratimin e pranimit të fajësisë.

“Pas konsultimit të mjaftueshëm me mbrojtësin në tërësi, i cili pranim në tërësi e përputhje me provat e faktet të cilat gjenden në shkresat e lëndës, i propozoj gjykatës që ta pranojë pranimin e fajësisë”, tha prokurori Islami.

Mbrojtja e Bushit kërkoi të sigurohet zinxhiri i ruajtjes së provave nga Agjencioni i Kosovës për Forenzikë, ndërsa trupi gjykues e obligoi pastaj për këtë gjë prokurorin.

Seanca e radhës është caktuar në muajin shtator.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë më datën 7 maj 2015 ndaj Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zijadin Berishës, Jeton Hajdinit dhe Kujtim Bytyqit.

Dhjetë të parët akuzohen për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi për armëmbajtje pa leje.

Edhe Bekim Halili e Zijadin Berisha, përpos për pjesëmarrje në grupe terroriste akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Në seancat e kaluara, Artan Kadriu, Betim Ibrahimaj, Zijadin Berisha dhe Adil Bushi kanë pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ndërsa Kujtim Bytyqi kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, pjesërisht e kishin pranuar fajësinë në seancat e kaluara edhe Bekim Halili.

24 Korrik 2017 - 21:00

Arita Gërxhaliu 24/07/2017 - 21:00
NDËRVEPRIMI13

Pranon Fajësinë për Pjesëmarrje në Grupe Terroriste

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend