Foto-ilustrim | Foto: KALLXO.com

Pranon Fajësinë për Aksidentin ndaj Basketbollistit Edis Kuraja

Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur Fanol Krasniqi, avokati i të akuzuarit.

Krasniqi tha se i kishte sugjeruar të mbrojturit të tij të mos e pranonte fajësinë, por sipas tij Deliu e pranoi që është fajtor.

Avokati bëri të ditur se ai, por edhe i akuzuari, kanë shprehur keqardhje ndaj familjes Kuraja si në ditën e aksidentit, ashtu edhe gjatë gjykimit.

Avokati më tutje tregoi pse sugjeroi që fajësia të mos pranohej. Tha se aktakuza ka të meta.

“Unë konsideroj se akuza ka të meta ligjore, sepse e njëjta në përshkrimin e saj thotë se e ka goditur këmbësorin. Në vendin e goditjes nuk ka pasur zebra, por i dëmtuari ka kaluar rrugën në vendin e ndaluar”, tha avokati Fanol Krasniqi.

Sa i përket kualifikimit të veprës penale, avokati Krasniqi tha se në të gjitha akuzat dhe praktikat gjyqësore, kur bëhet fjalë për veprat e rrezikimit të trafikut publik, atëherë kjo vepër kualifikohet edhe si pakujdesi, “e në rastin konkret kjo nuk ka ndodhur”.

Aktakuza e prokurorisë sqaron se ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 4 gusht të vitit 2015, rreth orës 00:20, në Rrugën “Garibaldi” në afërsi të Radio Televizionit 21 në Prishtinë, i pandehuri që ishte duke drejtuar veturën e tipit “Opel Omega” në anën e djathtë të rrugës në drejtim të Arbërisë ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasurinë.

Në aktakuzë thuhet se Qëndrim Deliu ka shkelur Ligjin për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor, pasi duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës dhe gjendjes në trafik e goditi këmbësorin Edis Kuraja.

Kuraja nga kjo goditje ka pësuar dëmtime të rënda trupore, ndërsa Qëndrim Deliu në këtë proces gjyqësor akuzohet për rrezikimi të trafikut publik.

Në seancën e radhës gjykata do të shpallë vendimin për të akuzuarin Deliu.