PRAK : 10 Arsye Përse Sigurimet Shëndetësore nuk Janë Gati

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë i ka dërguar një letër të hapur Kryeministrit në largim Isa Mustafës duke i kërkuar të shtyhet dita e mbledhjes së premiumeve për sigurime shëndetësore pasi që sipas saj nuk janë plotësuar kushtet bazë për një proces të tillë.

Premiumet janë një shumë e përcaktuar për blerjen e policave të sigurimit shëndetësor nga organizatat dhe individët.

Sipas PRAK-ut Agjencioni i Financimit Shëndetësor si paraardhës i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore ka mungesë enorme të stafit.

“Aktualisht AFSH i ka 11 të punësuar. Konkursi është i hapur dhe është në proces. Rekrutimi dhe selektimi i 39 punëtorëve tjerë është një procedurë që normalisht do të zgjasë disa muaj. Pas kësaj pasojnë ankesat dhe trajtimi i ankesave që normalisht i marrin disa javë. Nga përvoja, nuk përjashtohet mundësia që për ndonjë arsye edhe i tërë procesi i përzgjedhjes të kthehet në fillim, gjë që na e shton nevojën edhe për disa muaj shtesë”, thotë PRAK-u.

Sipas kësaj shoqate, problem është edhe mungesa e hapësirës se ku do të punojnë këta zyrtarë.

PRAK-u thotë se ekziston edhe një nevojë e madhe e bashkëpunimit të Agjencionit për Financim Shëndetësor me agjencitë tjera si Administratën Tatimore të Kosovës , Bankën Qendrore të Kosovës, etj.

Shoqata thotë se as Sistemi Informativ Shëndetësor nuk është as afër për t’u shtrirë në gjithë Kosovën.

“Sot në Europë, në shekullin 21 është vështirë e imagjinueshme të funksionojë sistemi shëndetësorë pa një sistem të integruar të informimit. Ka një dekadë që me përkrahjen e Luksemburgut po provohet të futet në përdorim një sistem elektronik i informimit në Prishtinë dhe Prizren. Vetëm këtë vit ka filluar të përdoret më intensivisht dhe se akoma nuk po mund të mbështetemi në të dhënat që prodhohen nga ky sistem”, thuhet në letrën e PRAK-ut.

PRAK-u thotë se edhe Ligji për Sigurime Shëndetësore është në plotësim-ndryshim, ndërsa sipas kësaj shoqate mungojnë rregulloret e udhëzimet administrative.

Shoqata në letrën për Mustafën konstaton se ekziston një praktikë e improvizimeve me qasje të orientuar më shumë kah forma sesa kah përmbajtja.

KALLXO.com ka raportuar disa herë për çështjen e sigurimeve shëndetësore.

Vitin e kaluar ministri në largim I Shëndetësisë Imet Rrahmani pati premtuar se premiumet do të fillojnë të mblidhen në janar të këtij viti, por më pas kjo datë u shty për 1 korrik.

Deklaratat e Rrahmanit për premiumet u vlerësuan si gënjeshtra nga krypometri, produkti i KALLXO.com që mat vërtetësinë e fjalëve të thëna publikisht nga zyrtarët.

Rrenat për Sigurimet Shëndetësore