Porosi për Autoritetet e Beogradit dhe Prishtinës “Mos i Nderoni Kriminelët e Luftës”

Autoriteteve të Prishtinës e Beogradit iu është bërë thirrje që të mos i nderojnë kriminelët e luftës.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR Serbia) e kanë dënuar ashpër nderimin e kriminelit të luftës Haradin Bala në Parlamentin e Kosovës, që sipas tyre është i vetmi anëtar i UÇK-së i dënuar për krime lufte në Tribunalin e Hagës, si dhe veprimin e autoriteteve serbe për përfshirjen e Vinko Pandurevic, i dënuar për krime lufte në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, në dialogun e brendshëm mbi Kosovën.

Ky reagim vjen pas Kuvendi i Kosovës kishte mbajtur një minutë heshtje në Kuvendin e Kosovës me rastin e vdekjes së Haradin Balës.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë të Kosovës dhe Qeverisë të Serbisë që të ndalojnë nderimet e kriminelëve të luftës dhe të përqendrohen në procesin e pajtimit duke punuar së bashku dhe me vendet e tjera të rajonit për të krijuar Komisionin Rajonal për Vërtetimin e Fakteve mbi Krimet e Luftës dhe Shkeljet e tjera të Rënda të të Drejtave të Njeriut të Kryera në Territorin e ish-Jugosllavisë nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor 2001”, thuhet në komunikatën e ëshuar nga YIHR.

Në reagim u bëhet thirrje autoriteteve në Prishtinë që të mos hezitojnë së punuari në arritjen e drejtësisë për viktimat e luftës dhe të mos pengojnë punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës të Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Më tutje YIHR, shkruan se është përgjegjësi e autoriteteve në Serbi që të mos përfshijnë kriminelët e luftës si Lazareviq, Sainoviq dhe në rastin e fundit, Pandureviq, në dialogun e brendshëm mbi Kosovën por as në ndonjë detyrë tjetër publike.

“Shteti i Serbisë ka për obligim të ndjekë penalisht të gjithë ata që kanë kryer krime lufte, por edhe të shfrytëzojë sistemin e edukimit formal për të nxitur kulturën e përkujtimit të viktimave të luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj komunikate, brezi i të rinjve nga Kosova dhe Serbia, gjithmonë do të jenë kundër nderimit të kriminelëve të luftës, do të vazhdojnë të kundërshtojnë rrëfimet e njëanshme të historisë dhe do të punojnë për të edukuar të rinjtë në ndërtimin e paqes mes dy shteteve.

“Ne u bëjmë thirrje të dy qeverive, që të dalin përtej deklaratave dhe të bëjnë hapa konkretë në procesin e pajtimit. Ne besojmë se asnjë marrëveshje e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve nuk do të mund të sjellë paqe dhe zhvillim për të dyja shoqëritë, pa u dënuar të gjithë kriminelët e luftës dhe pa u nderuar të gjitha viktimat e luftës nga të dyja shtetet”, është thënë në reagim.