Debati i organizuar nga KDI-ja | Foto: KDI

Politikanët të Mbyllur për Kontakt Direkt me Qytetarët

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi sot debat të studentëve me deputetët Blerta Deliu, Arben Gashi e Glauk Konjufca dhe kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti.

KDI-ja prezantoi edhe një hulumtim me të rinjtë e Kosovës nga i cili doli se të anketuarit janë të shqetësuar në lidhje me papunësinë, zhvillimin ekonomik, shëndetësinë dhe vonesat për liberalizimin e vizave.

80 për qind e të anketuarve deklaruan se nuk kanë pasur asnjëherë mundësinë e komunikimit direkt me ndonjërin nga politikanët,

Blerta Deliu, deputete e PDK-së e pranoi se komunikimi mes qytetarëve dhe deputetëve duhet të përmirësohet.

“Mendoj se ka nevojë për një PR(komunikim me publikun) pak më të mirë sa i përket punës dhe përgjegjësive që i kanë deputetët brenda Kuvendit”, tha Deliu.

Ajo u bëri thirrje të interesuarve që të kontaktojnë me deputetët nëpërmjet numrave kontaktues që ata kanë paraqitur në faqen e internetit të Kuvendit të Kosovës.

“Nëse keni pasur qasje në vebfaqe të Kuvendit, janë të gjitha të dhënat e deputetëve dhe aty janë edhe numrat kontaktue të një pjese të madhe të deputetëve, sepse i kam kërkuar edhe vetë”, tha Deliu.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve në lidhje me mosmbajtjen e premtimeve nga politikanët, deputeti i “Vetëvendosjes” Glauk Konjufca tha se deputetët bëjnë premtime vetëm për të ardhur në pushtet.

“Cili është problemi? Problemi i devalvimit, problemi i njëfarëlloj inflacionizmit të premtimeve që askush më nuk i merr serioze. Premtimi nuk vlen, a e dini për çka bëhet premtimi? Premtimi bëhet për me ardhë në pushtet edhe për me i marrë votat, por jo edhe për me u përmbushë”, tha Konjufca.

Deputeti i LDK-së Arben Gashi u pyet nga studentët se pse zyrtarë të kësaj partie vazhdimisht kanë thënë se nuk do të hyjnë në koalicion me PDK-në, ndërsa tash ky koalicion po i mban në pushtet.

“Në momentin që ti i bashkohesh një kauze pak më të madhe, normalisht që duhesh me i heq disa prej parimeve me të cilat ke hyrë dhe kur tërhiqesh prej parimeve me të cilat ke hyrë dhe ke premtuar atëherë vjen në pyetje përgjegjësia dhe përgjegjshmëria”, tha Gashi.

Arben Gashi tha se pushteti lokal duhet të jetë më afër me qytetarët sesa pushteti qendror, pasi sipas tij ata që drejtojnë komunat merren drejtpërdrejt me problemet e qytetarëve.

“Përfaqësuesi komunal si i zgjedhuri i qytetarit merr vendimet kryesore në emër të qytetarit, pse? Sepse kuvendi i komunës është një institucion kolektiv në të cilin për të marrë vendime duhet të krijohet një unitet më i madh sepse përgjegjësia është më e madhe”, tha Gashi.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se politikanët duhet të ndëshkohen kur nuk punojnë si duhet, ndërsa kjo gjë sipas tij e përmirëson llogaridhënien.

“Llogaridhënia funksionon vetëm kur ka ndëshkim prej atij të cilit po ia jep llogarinë. Pra pyetja është, a duhet na me u bazu në mirësinë e politikanit edhe të themi ishalla na qëllon i mirë. Apo duhet me e ndërtu sistemin me të cilin ndëshkimi vjen pastaj nuk kemi më nevojë me u bazu në mirësinë e politikanit por sistemi neve na mbron prej papërgjegjshmërisë politike”, tha Ahmeti.

Në një anketë tjetër të publikuar nga KDI-ja në janar, të anketuarit kërkuan tema tjera në dialogun e Brukselit.

http://kallxo.com/qytetaret-duan-ceshtje-tjera-ne-dialogun-e-brukselit/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri