Politikanët e Shqipërisë Përshëndesin Lirimin e Haradinajt

Në reagimin e parë për vendimin e gjykatës së qytetit Colmar, kryeministri i Shqipërisë, i uroi Haradinajt mirëseardhje “në Prishtinën tonë”.

“Ramush mirë se zbret sot edhe njëherë fitimtar në Prishtinën tonë”, shkruhet në postimin e Ramës të cilin e ka dekoruar me flamujt e Kosovës, Shqipërisë, bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa shefi i opozitës shqiptare, Lulzim Basha kërkoi nga Serbia që t’i anulojë urdhër arrestet e saj për luftëtarët e Kosovës.

Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, Basha shkroi se drejtësia franceze mori më në fund vendimin e duhur për Ramush Haradinaj.

“Ndava me kënaqësi lajmin se drejtësia franceze mori më në fund vendimin e duhur për Ramush Haradinajn, duke e lënë atë të lirë për t’u kthyer në atdhe. Vendimi i sotëm është drejtësia e plotë, pas shumë javësh qëndrimi në Francë”, thuhet në postimin e Bashës.

Sipas kryetarit të PD-së, urdhërarrestet e Serbisë janë të padrejtë ndaj personave si Ramush Haradinaj.

“Urdhërarrestet e Serbisë janë jo vetëm padrejtësi personale ndaj njerëzve si Ramushi që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës, por njëkohësisht sulm ndaj vetë pavarësisë, ndaj Republikës së Kosovës dhe integritetit të saj politik”, tha Basha.

“Me vendimin e sotëm të drejtësisë franceze, Serbia duhet të ndërgjegjësohet një herë e mire, e të anulojë urdhërrarrestet e saj për luftëtarët e Kosovës”, tha Basha.

Ai shtoi se qeveria shqiptare “e ka për detyrë” të ushtrojë presion ndaj Serbisë dhe kërkesa ndaj vendeve të tjera që të ‘detyrojnë Beogradin të heqë dorë nga praktika e turpshme, e padrejte dhe provokative e urdhër arresteve te tilla në mënyrë që padrejtësi si kjo me Ramushin të mos përsëriten më’.

Gjykata e Francës mori sot vendimin për të liruar kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai qëndroi në këtë shtet deri sot, pasi nuk kishte të drejtë ta lëshojë Francën derisa të merrej vendimi për kërkesën ekstraduese të Serbisë.

AAK-ja sot do të organizoj pritje madhështore për kreun e saj në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.