Policia: I Riu në Prishtinë u Vra

Policia në një njoftim për medie sqaroi se ishte vrarë personi që sot në orën 11:00 u gjet i vdekur në Prishtinë.

“Pas ekzaminimeve fillestare lidhur me rastin e sipërshënuar, njësitet policore kane konstatuar se bëhet fjalë për vrasje”, bëri të ditur zëdhëësja e Policisë Rajonale të Prishtinës Florie Ahmeti- Haziri.

Më pas policia tregoi se i vrari është një person i moshës 16 vjeçare.

“Viktima e ketij rasti eshte A.Z mashkull 16 vjeç, trupi i pajete i të cilit me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në Institutin e Mjekësise Ligjore per obduksion”, thuhet në sqarimin e policisë.

Policia më tutje shpjegoi se është në kërkim të atyre që mund ta kenë kryer këtë vrasje.

“Njësitet policore janë duke ndermarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, sqaroi policia.

Sipas policisë, prokurori këtë vrasje e ka cilësuar vrasje të rëndë.

KALLXO.com shkroi edhe më herët për këtë ngjarje, kur policia dha informata se ka gjetur një person të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete në Rrugën “Gjon Serreçi” në kryeqytet.