Droga e zbuluar në çanta | Foto: Policia e Kosovës

Policia Zbulon Drogë në 4 Çanta të Zeza

Në disa fshatra të Prizrenit dhe në Fushë-Kosovë, Policia e Kosovës në dy aksione ka arritur të zbulojë më shumë se 66 kilogramë substanca të dyshuara narkotike të llojit marijuanë.

Aksioni i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë-Njësia në Prizren nisi pas marrjes së informatave se në disa fshatra të Prizrenit ndodhen disa çanta të zeza të dyshimta.

“Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, Njësia në Prizren, nga burime të besuara ka pranuar informacione se në mes të fshatrave Shpenadi, Velezhë, Caparc dhe Novakë, afër një are të punuar gjenden disa çanta të mëdha,  me ngjyrë të zezë dhe të mbuluara me disa mbulesa plastike dhe bari të tharë”, thuhet në komunikatën e policisë .

Më pas në këto çanta u gjet substanca narkotike me peshë 62 kilogramë e 465 gramë.

“Pas marrjes së kësaj informate policia ka dalë në lokacionet e lartcekura dhe aty ka vërejtur se gjenden katër çanta të zeza, në të cilat gjendeshin gjashtëdhjetë e dy (62) paketime, me një substancë të dyshuar për narkotikë të llojit marihuanë”, sqaron komunikata e policisë .

Pasi qentë policorë të Njësisë K9 ndoqën gjurmët, i çuan forcat e rendit te një shtëpi 3 kilometra larg vendit ku u gjet substanca e dyshuar narkotike, por bastisjes së saj nuk u gjet lidhshmëri mes pronarit dhe substancave narkotike të zbuluara.

Substancë të dyshuar narkotike të llojit marijuanë policia zbuloi edhe rreth orës 21 e 30 të ditës së djeshme edhe në Fushë-Kosovë gjatë kërkimit të një personi të dyshuar për grabitje, kur u bastis shtëpia ku ai jeton.

“Në atë lokacion është ftuar edhe Njësiti i Antidrogës dhe sipas koordinimit me prokurorin dhe gjykatën kompetente është realizur një bastisje në dhomën ku ndodhej (i dyshuari mashkull: A.Ç. viti i lindjes 1999) shtetas i Shqipërisë, ku gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar 4827.9 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, një peshore digjitale dhe tre telefona”, thuhet në komunikatën e policisë.

Personi ku u gjet kjo sasi e drogës është arrestuar, ndërsa atij i është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh.

Në Rubrikën “Policia” të Emisionit “Drejtësia në Kosovë” shpesh janë shfaqur aksione antidrogë.

http://kallxo.com/marijuana-ne-gome-kamioni/

http://kallxo.com/aksioni-arrestimi-policit-per-transport-marijuane/

http://kallxo.com/fundi-rrjetit-te-droges-shqiperi-kosove-serbi/