Fishekzjarrët në Prishtinë | Foto: KALLXO.com

Policia Tregon Masat për Ofrim Sigurie Gjatë Festave

Sipas një njoftimi të policisë, ky plan parasheh ofrimin e sigurisë, rendit dhe qetësisë publike në tërë territorin e Kosovës.

Në njoftim thuhet edhe se janë paraparë masat e nevojshme policore, ndërsa kërkohet që qytetarët dhe institucionet e Kosovës të kenë vigjilencë të shtuar.

“Qëllimi primar i këtij planifikimi dhe angazhimi të Policisë së Kosovës është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale”, thuhet në njoftim.

Plani policor sipas njoftimit parasheh edhe shtimin e prezencës së pjesëtareve të policisë në lokacione dhe ambiente të hapura në sheshe të qyteteve të ndryshme ku do të mbahen organizime festive si dhe prezencën policore në trafik për orientim dhe mbarëvajtje të trafikut rrugor.

“Me qëllim të parandalimit të çfarëdo incidenti të mundshëm, Policia e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët e vendit që të bashkëpunojnë dhe të informojnë institucionet e sigurisë për çfarëdo parregullsie apo informacioni të dyshuar, duke përfshirë edhe informacionet apo parregullsitë e mundshme në trafik”, thuhet më tutje në njoftim.

Policia në fund apelon që prindërit të jenë më të kujdesshëm në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike nga fëmijët me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse, fishekzjarrët.

Policia bën me dije se si pasojë e mospërdorimit adekuat të këtyre mjeteve janë evidentuar incidente me pasoja të ndryshme.

Policia zotohet se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë, apo mjete tjera të kundërligjshme gjatë festimeve të fund vitit.

Në fund Policia e Kosovës është kujdesur që të gjithë qytetarëve të Kosovës t’u urojë festat e fundvitit.