Policia Sqaron Vozitjen në Kah të Kundërt

Sipas njoftimit të policisë vetura ishte në ndjekje të disa personave të dyshuar.

“Zyrtarët policor me automjetin zyrtar Skoda, e cila i përket stacionit policor Suharekë, me datën 28.07.2017 rreth orës 16:22,  në kilometrin 41 të autostradës drejtimi Vermicë–Prishtinë, kanë qarkulluar në kahjen e kundërt të rrugës, pasi të njëjtit gjatë detyrës zyrtare kanë qenë në ndjekje të një veture të dyshuar, në të cilën ndodheshin personat e dyshuar, për të cilët dyshohej se janë përfshirë në rast vjedhje.

“thuhet në njoftimin e policisë. Sipas të njëjtit personat e dyshuar gjatë ikjes kanë shfrytëzuar qarkullimin me veturën e tyre në kahje të kundërt të rrugës dhe zyrtarët policor në vozitje emergjente janë vënë në ndjekje të tyre po në atë drejtim, me qëllim të arrestimit të personave të dyshuar.

E njëjta sqaron se menaxhmenti kompetent i rajonit përkatës, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme për shqyrtim dhe hetim pre-eleminar të rastit, lidhur me marrjen e masave administrativo disiplinore, për shkeljen e ligjit mbi rregullat e trafikut rrugor.

Disa orë më parë KALLXO.com publikoj një video ku shiheshin zyrtarë të policisë tek vozisnin në kahun e kundërt. Gjatë ditës KALLXO.com kishte kërkuar sqarime nga policia për rastin por përgjigjet janë pranuar vetëm pas publikimit të videomaterialit.