Foto-ilustrim: Policia e Kosovës

Policia Sqaron Dëbimin e Dy Ukrainasve

Policia ua ndaloi hyrjen në Kosovë për pesë vjet dy shtetasve ukrainasë që u paraqitën si gazetarë, ndërsa u ndaluan në Rahovec.

Në një informacion për medie Policia e Kosovës tregoi se mbrëmë ndaloi këta dy persona të cilët ishin në makinë të një shtetasi serb të Kosovës.

“Është ndaluar një veturë e tipit Peugeot me targa KS, të cilën e drejtonte një shtetas serb i Kosovës (Z.M.) i lindur me (1972) nga Shtërpca, në veturën e të cilit kanë qenë edhe dy shtetas të huaj të cilët janë prezantuar si gazetarë, njëri i gjinisë mashkullore S.B. i lindur më (1991) në Ukrainë, ndërsa tjetri i gjinisë femrore S.O. e lindur më (1993) në Ukrainë, tani me nënshtetësi të Federatës Ruse.Informacion për media nga Policia e Kosovës,” thuhet në sqarimin e policisë.

Policia më tutje shpjegoi se dy shtetasit e huaj nuk mund ta dëshmonin me dokumentet e tyre se kishin hyrë në mënyrë të ligjshme në Kosovë.

“Pas verifikimeve të nevojshme është vërejtur se përveç që këta persona nuk kanë vizë të RKS-së, nuk kanë të vendosur  as vulën hyrëse e cila vendoset nga autoritetet tona policore në pikëkalimet kufitare,’ thuhet më tutje në informacionin e policisë.

Policia shpjegoi se i ka trajtuar këta persona në pajtim me legjislacion për qëndrim të paligjshëm të shtetasve të huaj.

“Në konsultim me prokurorët kompetent shtetasit në fjalë janë trajtuar në pajtim me  dispozitat e Ligjit për te Huajt për qëndrim të paligjshëm sipas nenit 93   paragrafi 1 pika 1.1. dhe 1.2 si  dhe dispozitave ndëshkimore të parapara në nenin 129 pragrafi 1 pika 1.2,” vijon më tutje sqarimi i policisë.

Policia bëri me dije se u ka shqiptuar gjobë dy ukrainasve dhe ua ka ndaluar atyre hyrjen për pesë vjet në Kosovë.

“Të njëjtëve nga autoritetet kompetente policore të RKS-së u është shqiptuar gjoba sipas ligjit dhe urdhër largimi me forcë me ndalesë rihyrjeje prej pesë (5) vjetëve, i cili  urdhër do të ekzekutohet menjëherë duke i dërguar me përcjellje policore deri në pikëkalimin kufitar në Merdare, ku do të largohen për në Republikën e Serbisë,” tregon policia.

Në të njëjtin sqarim për opinion, policia tregoi se sot ka ndaluar një shtetas gjerman me nacionalitet rus të cilit i janë gjetur armë.

“Në hyrje të Republikës së Kosovës nga drejtimi i Serbisë ka ardhë automjeti i tipit ‘Chrysler’ me targa gjermane me vozitës shtetasi gjerman (me përkatësi ruse B.S ) i lindur me (1947) dhe me banim në Berlin të Gjermanisë, me ç’rast gjatë kontrollit të automjetit  janë gjetur një revole me gas, një karikator dhe pesë fishekë, si dhe dy thika me gjatësi tehu njëra 10 cm dhe tjetra 11 cm,” thuhet në informatën policore.

I dyshuari është ndaluar nën dyshimet për posedim të paautorizuar të armëve dhe pritet të intervistohet.