Policia e Trafikut - Foto: KALLXO.com

Policia Shqipton Mbi 15 Mijë Gjoba Për Dy Javë

Për 15 ditët e para të muajit janar të vitit 2018, Policia e Kosovës bën të ditur se ka shqiptuar rreth 15.100 mijë gjoba.

14 mijë e 230 gjoba janë shqiptuar për persona fizikë me vlerë deri në 500 euro. Numri i gjobave të shqiptuara ku janë paraparë pikë negative është gjithsej 515 kurse 214 gjoba të tjera janë shqiptuar për ndalim të mjetit nga 3 deri në 18 muaj.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka thënë se po vazhdon të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që të rritet vigjilenca, të shtohet kujdesi në respektimin e rregullave që dalin nga ligjet e trafikut, për të garantuar një siguri më të madhe, me qëllim të shmangies së aksidenteve rrugore në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale.

“Në të kundërtën, Policia e Kosovës, edhe pse nuk ka qëllim primar ndëshkimin, për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që bien ndesh me ligjet e trafikut do të vazhdojë të aplikojë ndërmarrjen e masave ligjore”, theksohet në komunikatën e Policisë së Kosovës.