Thesi me kanabis i kapur nga Policia shqiptare - Foto: Facebook

Policia Shqiptare Kap 67.5 Kilogramë Drogë

Policia Kufitare e Shqipërisë ka sekuestruar sot në kufirin me Malin e Zi 67.5 kilogramë lëndë narkotike “Cannabis Sativa”.

Shërbimet e Policisë Kufitare gjatë patrullimit në kufirin jeshil, në orët e para të mëngjesit, kanë konstatuar tre shtetas të cilët po lëviznin në drejtim të kufirit me Malin e Zi dhe secili po transportonte nga një thes ku dyshohej se kishte lëndë narkotike.

Menjëherë kanë njoftuar grupin operacional të DVKM Shkodër, Policinë e Malësisë së Madhe si dhe Policinë Kufitare të Malit të Zi.

Tre shtetasit që transportonin lëndën narkotike porsa kanë parë se po ndiqeshin nga Policia, në vendin e quajtur Rapsh, Malësi e Madhe, kanë fshehur thasët me lëndë narkotike në shkurre dhe duke shfrytëzuar kushtet e errësirës dhe terrenin e thyer malor janë larguar në thellësi të kufirit me Malin e Zi.

Gjatë krehjes së zonës, Policia Kufitare ka gjetur dhe sekuestruar 3 thasë, brenda të cilëve kishte 60 pako me peshë 67.5 kg lëndë narkotike të dyshuar si “Cannabis Sativa”.

Sipas Policisë së Shtetit, po vijon krehja e zonës në bashkëpunim me Policinë e Malit të Zi për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.