Ministri i MZhE, Blerand Stavileci | Foto: MZhE

Policia Nis Hetime për Tenderin Dymilionësh të MZHE-së

Policia e Kosovës ka nisur hetime për tenderin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për renovimin e 5 ndërtesave publike. Për shkak të shkeljeve ligjore, përkatësisht tendencës për të nënshkruar kontratë 600 mijë euro më shumë, Banka Botërore ishte tërhequr nga marrëveshja për financimin e këtij renovimi të ndërtesave.

Për një kohë të gjatë nënshkrimi i kësaj kontrateje ishte zvarritur për shkak të mungesës së zotimeve nga Ministria e Financave për financim të saj.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik kanë thënë se kontrata në mes të ministrisë dhe kompanisë “Pe-vla-ku” është bërë më 14 tetor 2016.

“Kontrata është nënshkruar me datë 14.10.2016, ndërsa procedura e prokurimit ka nisur me 03.07.2015”, thuhet në përgjigjet e MZHE-së.

Njoftimi për nënshkrim të kontratës nuk është publikuar në Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Ndërsa, në MZHE thonë se ligji nuk i obligon të bëjnë një gjë të tillë.

“Ligji 04/L-042 me të cilin ka nisur kjo procedurë prokurimi nuk parasheh që njoftimi për nënshkrim të kontratës të publikohet”, thuhet në përgjigjet e MZHE-së.

Ata përgjigjes ia kanë bashkuar edhe interpretimin e KRPP-së për çështjen e publikimit të njoftimit për dhënie të kontratës.

“Konform nenit 87, të Ligjit për  Prokurimin Publik, duke u bazuar në të dhënat e shkresës suaj, KRPP iu këshillon si në vijim: Të gjitha aktivitetet  e prokurimit, të cilat janë të iniciuara dhe të  publikuara sipas LPP-së nr.04/L-042 dhe janë ende në procedurë duhet vazhdohen sipas ligjit në fjalë. Ndërsa, procedurat e prokurimit të cilat fillojnë pas datës 21.01.2016, pas hyrjes në fuqi të ligjit me ndryshime, kuptohet se aktivitetet e prokurimit duhet të zhvillohen sipas këtij ligji”, thuhet në interpretimin e KRPP-së që i është dërguar MZHE-së.

Në MZHE thonë se dosja e tenderit është kërkuar nga Policia e Kosovës.

“Dosja është kërkuar nga policia. Kërkesa e policisë ka ardhë pas nënshkrimit të kontratës”, thuhet në përgjigjet e MZHE-së.

Gazeta JnK ka dërguar pyetje edhe te Policia e Kosovës, por policia nuk ka treguar nëse kanë nisur hetimet dhe nëse lënda është përcjellë në Prokurorinë e Shtetit.

Bartja e projektit në buxhetin e 2017-ës

Ministria e Zhvillimit Ekonomik e kishte zvarritur nënshkrimin e kontratës, pasi kishte munguar zotimi i mjeteve nga Ministria e Financave, pas tërheqjes së Bankës Botërore nga financimi i këtij projekti për shkak të shkeljeve procedurale të bëra nga prokurimi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Gazeta “Jeta në Kosovë” ka raportuar për arsyet e tërheqjes së Bankës Botërore nga financimi i kësaj kontratë dymilionëshe bazuar në një sërë dokumentesh. Dëmtimi i buxhetit për rreth 600 mijë euro, aq sa është oferta në mes të ofertuesit më të lirë dhe operatorit të rekomanduar për kontratë, ka qenë arsyeja kryesore e zmbrapsjes së Bankës Botërore.

Ministria e Financave dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik pas diskutimeve kanë arritur në ujdi që projekti të financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës. Në buxhetin e vitit 2016 ka qenë i paraparë ky projekt, mirëpo financimi ishte planifikuar të bëhej nga Banka Botërore dhe jo nga Buxheti i Kosovës.

Në projekt-buxhetin e vitit 2017 është paraparë që financimi i renovimit të këtyre pesë ndërtesave të bëhet nga buxheti.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka dhënë dy përgjigje kontradiktore me njëra-tjetrën. Në muajin shtator, MZHE-ja kishte thënë se janë në bisedime me Ministrinë e Financave për realizimin e financimit pas tërheqjes së Bankës Botërore.

“Me fillimin e procedurave të prokurimit për renovimin e 5 ndërtesave, zotimi i mjeteve është bërë nga kodi i ndarë për projektin të paraparë në Ligjin për Buxhetin. Pas vendimit të Bankës Botërore  dhe së fundi pas vendimit të OSHP-së, i cili ka lënë  në fuqi vendimin e MZHE-së për rekomandim për dhënie të kontratës, MZHE-ja ende është në diskutim e sipër me Ministrinë e Financave që brenda kornizave ligjore të realizohet financimi për renovimin e këtyre ndërtesave, sepse kanë rendësi të veçantë për vetë shfrytëzuesit e këtyre 5 ndërtesave”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së dhënë me 20 shtator.

Kurse, në përgjigjen e dhënë në fund të muajit nëntor, MZHE-ja ka thënë se ata nuk e kanë obligim që të bisedojnë me Ministrinë e Financave për financimin e këtij projekti.

“Mbështetur në Rregullat e Menaxhimit dhe Kontrollit Financiar (Rregullat e Thesarit), për të gjitha projektet që janë pjesë e ligjit nuk parashikohet të ketë marrëveshje me Ministrinë e Financave për këtë çështje. Prandaj, Projekti për Zbatimin e Masave të EE në Institucionet Publike, ka qenë pjesë e Ligjit të Buxhetit për vitin 2015 – 2016 dhe do të jetë pjesë e planifikimit të buxhetit për vitin 2017 e që financimi do të bëhet në përputhje me planifikimet dhe rregullat financiare të aplikueshme, siç është paraparë në LMFPP”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të MZHE-së.

Gazeta ka hulumtuar buxhetin e vitit 2016 dhe projektbuxhetin e vitit 2017. Në buxhetin e vitit 2016, projekti për “Zbatimin e Masave të Eficiencës së Energjisë në Ndërtesat Publike” thuhet se do të financohet nga huamarrja. Në vitin 2016 ishin planifikuar 3 milionë e 995 mijë euro.

Kurse, në projektbuxhetin e vitit 2017 kjo ka ndryshuar. Financim nga huamarrja për të njëjtin projekt është planifikuar të jetë një shumë prej 3 milionë e 645 mijë eurove. Por, në të njëjtin projekt janë shtuar edhe 1 milion e 870 mijë euro, të cilat është planifikuar të financohen nga Buxheti i Kosovës. Në projektbuxhetin e 2017-ës thuhet se këto 1.8 milionë janë të bartura nga viti 2016, mirëpo në buxhetin e vitit 2016 kjo shumë nuk figuron fare. Gjithashtu, janë planifikuar edhe 1 milion euro për “Programin e Zbatimit të Masave të Eficiencës së Energjisë”.

Shfajësimi i OSHP-së

Tenderi ishte iniciuar në fund të vitit 2015, mirëpo disa herë ishte zvarritur për shkak të ankesave në OSHP. Së fundmi, Kompania “Al-Trade” ishte ankuar në OSHP pas vendimi të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për të rekomanduar për kontratë konzorciumin “PE-Vla-ku” & “Alba Konstruksion” e cila kishte ofruar një çmim prej 2 milionë e 63 mijë euro. Al Trade kishte ofertuar 1 milionë e 485 mijë për të njëjtin projekt. Kjo ofertë ishte për 578 mijë euro më e lirë se oferta e kompanisë “Pe-Vla-ku” me të cilën MZHE-ja pritet të lidhë kontratë.

“Al-Trade” ishte rekomanduar për kontratë nga MZHE-ja pas presioneve dhe rekomandimeve që kishte marrë nga Banka Botërore. Por, pas ankesës së operatorëve dhe vlerësimeve të ekspertit shqyrtues, MZHE-ja e kishte pranuar se ka bërë shkelje ligjore kur e ka rekomanduar “Al-Traden” për kontratë.

Rasti për herë të dytë ka shkuar në OSHP, sepse tash është ankuar “Al-Trade”. Por, OShP-ja e ka refuzuar ankesën e “Al-Trades” duke e lënë në fuqi vendimin e MZHE-së për dhënien e kontratës konzorciumin “PE-Vla-ku” & “Alba Konstruksion” e cila ka qenë për 578 mijë euro më e shtrenjtë.

Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka konstatuar se arsyet e eliminimit të operatorit “Al-Trade” janë të qëndrueshme dhe se operatori ankues është “palë pa interes juridik material”.

Por, OSHP-ja në vendimin e tij ia ka kujtuar MZHE-së përgjegjësinë dhe mundësinë që ka për të vazhduar procesin e prokurimit me vetëm një operator të përgjegjshëm.

“Paneli shqyrtues sqaron se revokimi i nenit 32.4 të LPP-së është përgjegjësi e autoritetit kontraktues”, thuhet në fund të vendimit të OSHP-së.

Gazeta JnK ka kërkuar përgjigje nga MZHE-ja nëse e kanë shfrytëzuar mundësinë që ofron Ligji i Prokurimit Publik për revokimin e nenit 32, pika 4. Pika 4 e nenit 32 i obligon autoritetet kontraktuese që të anulojnë procesin e prokurimit nëse kanë pranuar më pak se dy oferta të përgjegjshme.

MZHE-ja ka vendosur të revokojë këtë pikë për të vazhduar me nënshkrimin e kontratës me të vetmin operator të përgjegjshëm.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka vazhduar procedurat sipas nenit 32.5 te LPP-së, dhe sipas këtij neni brenda 2 ditëve është njoftuar KRPP-ja për vendimin për vazhdimin e procedurave sipas nenit 32.5.  Vlen të theksohet se nuk kemi pranuar ndonjë opinion ose kërkesë për plotësimin e dokumentacionit nga KRPP-ja për vendimin e marrë nga MZHE-ja”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së.

Ky nen kërkon që të përmbushen dy kushte: a) specifikimet e para të kontratës nuk ndryshohen b) që autoriteti kontraktues ka demonstruar që për arsye të konkurrencës shumë të kufizuar në treg për kontratën në fjalë, një procedurë e re … nuk do të rezultojë në ngritje të numrit të tenderëve përgjegjës, kur është e aplikueshme, kërkesat për pjesëmarrje, autoriteti kontraktues mund ta anulojë këtë kërkesë.

Arsyeshmeria teknike dhe financiare e projektit

Projekti i renovimit të ndërtesave publike me qëllim të rritjes së efiçiencës së energjisë është mbështetur nga Banka Botërore. Për këtë projekt janë kryer edhe studime të fizibilitetit të cilat tregojnë se investimi në renovimin e tyre ka arsyeshmeri teknike dhe financiare. MZHE-ja është përgjigjur bazuar në studimin e fizibilitetit të kryer nga Banka Botërore, se këto ndërtesa kanë potencial jashtëzakonisht të lartë të kursimit të energjisë dhe për ketë arsye janë përfshirë në listën me prioritet për renovim.

Thuhet se renovimi i ndërtesave do ketë ndikim të konsiderueshëm dhe përfitime të larta qofshin ato financiare, mjedisore, rritjen e  komforit  termik te brendshëm duke përmirësuar ambientin e punës  për shfrytëzuesit e këtyre objekteve.

“Kursimet e energjisë pas implementimit të masave për EE do të jetë në masën 62%, Kursimet financiare pas investimit në masa për efiçiencë të energjisë deri në 284,510€/vit, si dhe periudha mesatare e kthimit do të jetë 6 vjet”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së. Megjithatë, kjo ministri nuk është përgjigjur se investimi në këto ndërtesa për sa vite do të kthehet pas rritjes së kostos së renovimit në rreth 2 milionë euro.

‘Tenderi i Keq’ Largon Bankën Botërore dhe Dëmton Buxhetin