Policia në Kërkim të të Dyshuarit për Vrasje e Vjedhje

Policia njofton se është në kërkim të 24 vjeçit Goran Petroviq, shtetasit të Serbisë të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale.

Policia ka njoftuar se janë arrestuar 66 vjeçja Stojanka Ristiq shtetase serbe së bashku me të dashurin e saj 63 vjeçin, Sami Emini, nën dyshimin se për një kohë kanë ndihmuar dhe strehuar të kërkuarin nga policia 24 vjeçin Goran Petroviq.

Sipas njoftimit të policisë me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjilan është kontrolluar shtëpia e Stojanka Ristiqit dhe Sami Eminit në fshatin Mogillë në kërkim të Petroviqit, pasi dyshohej se Petroviq ishte strehuar dhe ndihmuar nga këta të dy për t’i ikur arrestimit dhe ballafaqimit me drejtësinë.

Policia bën me dije se gjatë kontrollit është arritur që të gjendet vetëm dokumentacioni i të dyshuarit, por jo edhe ai vetë, pasi qe gjatë natës i njëjti nga të dyshuarit e cekur ishte ndihmuar që t’i shmanget arrestit duke e fshehur në fshatin Pasjan.

Dy të dyshuarit e lartcekur kanë qenë në njohuri të plotë për të gjitha veprimet kriminale të të dyshuarit Goran Petroviq dhe me vetëdije të plotë e kanë ndihmuar të njëjtin për t’iu shmangur drejtësisë, thuhet në komunikatë.

Policia tregon se Petroviq është duke u kërkuar për vepra të rënda penale, ndërsa dyshohet edhe për vrasje të dyfishtë.

Në njoftimin e policisë thuhet se të gjithë personat kushdo qofshin që në çfarëdo mënyre e ndihmojnë personin e shumë kërkuar do të përgjigjen për dhënie të ndihmës pas kryerjes se veprës penale.

Të arrestuarve Sami Emini dhe Stojanka Ristiq nga prokurori u është shqiptuar ndalimi policor prej 48 orësh.

Sipas policisë, forcat e rendit do të vazhdojnë ta kërkojnë Petroviqin edhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim deri në kapjen e tij.