Foto: Ilustrim

Policia Ndjek dhe Arreston Tre Veta për Vjedhje të Rëndë në Mitrovicë

Sot rreth orës 04:00 të mëngjesit policia ka arrestuar tre persona për veprën vjedhje e rëndë në Mitrovicë.

Sipas njoftimit të policisë është raportuar se në zonën banuese tuneli i parë në Mitrovicë në një dyqan ka ndodhur një vjedhje e rëndë.

“Drejt vendit të ngjarjes me urgjencë kanë reaguar njësitë policore, në kuadër të stacionit policor ‘Jugu’ në Mitrovicë, ku nga shikimi i vendit të ngjarjes dhe të dhënave të para të siguruara hetimet ishin orientuar në identifikimin e një veture që ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Në kërkim të veturës, policia ka arritur pas 20 minutave ta identifikojë dhe ndalojë veturën në të cilën ndodheshin tre persona të dyshuar.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit, te të dyshuarit dhe në veturë janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, dy thika, një maskë, një shumë e parave metalike të raportuara të vjedhura në dyqan.

Ndaj të dyshuarve A. P, 19 vjeçar, B.H. 18 vjeçar dhe E. S. 18 vjeçar, pas procedurave intervistuese u është caktuar masa e ndalimit policor, ndaj të cilëve është ngritur kallëzim penal për veprën penale të vjedhjes së rëndë.