Policia Ndërhyn për t’i Ulur Gjakrat në Seancë

Policia është dashur të ndërhyjë për të ulur tensionet në mes të familjarëve të të ndjerit Naim Hajrizi dhe të akuzuarve Gezim Retkoceri dhe Osman Spahiu në fund të seancës së sotme, e cila megjithatë nuk u zhvillua.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, i dha arsyet e mosmbajtjes së seancës. “Anëtarja e trupit gjykues, Afërdita Bytyqi është emëruar në postin e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë e po ashtu edhe plani i punës nuk është dorëzuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe kemi mbetur të përgjysmuar”, tha gjykatësi Hoti.

Këto arsye nuk e bindën avokaten, Fehmije Gashi-Bytyqi që mbron Gëzim Retkocerin.

“Kemi një shkelje të madhe të procedurës penale nenin 5, sepse të akuzuarit më datë 30 prill i bëjnë 8 vite në paraburgim. Nuk di nëse ka ndonjë arsyetim në praktikën juridike të Kosovës që cështjet të prolongohen me një arsyetim që ju e dhatë”, tha Bytyqi.

Ndryshe nga Gashi-Bytyqi, u shpreh avokati i palës së dëmtuar, Bajram Tmava.

“Ju lutem mos ta keqpërdorim gjykatoren dhe foltoren. Çështja e prolongimit, nuk është çështja e parë që prolongohet. Tri vrasje i kam pasë që kanë zgjat nga 11 vite”, tha Tmava.

E avokati i të akuzuarit, Osman Spahiu, Ramë Dreshaj, propozoi të dëgjohet një dëshmitar i ri.

“Të sigurohet dëshmitari Milaim Gashi. Edhe sot po edhe nesër jam i bindur se nëse dëgjohet ose po të ishte dëgjuar para trupit gjykues të mëparshëm shumë çështje kishin me dalë në pah lidhur me këtë vrasje”, tha Dreshaj.

Seanca e këtij gjykimi që ka nisur para shtatë vitesh u shty për kohë të pacaktuar.

Gjatë tërë kohës seanca e sotme ishte e tensionuar në mes të familjarëve të dëmtuar dhe të akuzuarve, ndërsa në fund u nevojit edhe ndërhyrja e policisë për t’i qetësuar.

Osman Spahiu dhe Gëzim Retkoceri në korrik të vitit 2015 ishin dënuar me nga 30 vjet burgim por pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Prokuroria akuzon Retkocerin dhe Spahiun se më 29 prill të vitit 2009 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizi dhe pastaj e kanë goditur me mjete të forta duke e mbytur.

http://kallxo.com/gjykimi-per-vrasje-i-pakryer-qe-shtate-vjet/

http://kallxo.com/nga-30-vjet-burg-dy-te-akuzuarve-per-vrasje/