Albin Kurti - Foto: Atdhe Mulla

Policia Mohon Bastisjen e Shtëpisë së Albin Kurtit

Policia e Kosovës ka mohuar informacionet për bastisjen e shtëpisë së deputetit Albin Kurti, kundër të cilit Gjykata e Prishtinës kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

E kontaktuar nga KALLXO.com, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, konfirmoi se Kurti nuk është hasur.

“Në orën 9:00 kemi pasur të realizojmë urdhëresën për sjelljen me detyrim të Kurtit. E kanë kërkuar, por nuk kanë arritë ta gjejnë. Ndërkaq raporti ka arritë në Gjykatë në orën 9:50”, tha Ahmeti.

Zëdhënësja tha se nuk ka pasur bastisje, por vetëm një person ka shkuar dhe e ka kërkuar por nuk është hasur personi për të cilin kanë pasur urdhëresë nga Gjykata.

Në seancën e kaluar, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, lëshoi urdhëresë për sjelljen me detyrim të deputetit Albin Kurti, por Policia nuk e solli në seancën e sotme.

Gjyqtari Kalludra tha për KALLXO.com se lajmin nga Policia se i pandehuri Albin Kurti nuk gjendej në shtëpi e mori pasi që përfundoi seanca.

“Deri në orën 9:50 nuk kemi marrë përgjigje nga Policia e Kosovës lidhur me sjelljen e Kurtit në seancë”, tha Kalludra.

Gjatë seancës së sotme gjyqtari tha se nuk kanë pranuar asnjë informatë nga Stacioni Policor Jugu.

“Pra, ne nuk kemi asnjë njoftim nga stacioni policor i jugut se a kanë vepruar apo jo dhe nëse jo pse nuk kanë vepruar”, tha Kalludra gjatë seancës e cila përsëri është shtyrë në mungesë të të akuzuarve Kurti e Donika Kadaj- Bujupi.

Sa i përket sjelljes me detyrim të Kadaj- Bujupit, për të cilën po ashtu në seancën e kaluar gjyqtari Kalludra kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, ai tha se “nuk ka të dhëna”.

Sigurimi i pranisë së të akuzuarve është një problem i cili po prolongon në vazhdimësi këtë procedurë gjyqësore ndaj 4 deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Seanca e sotme është dashur të fillonte në orën 9:00, por nisi me gjysmë ore vonesë pasi si edhe në seancat e kaluara kanë ardhur vetëm Albulena Haxhiu e Faton Topalli.

Përveç mungesës së Kurtit e Kadaj- Bujupajt, në seancën e kaluar mungoi edhe deputetja Flora Brovina, për të cilën po ashtu u lëshua urdhëresë për sjellje me detyrim.

Brovina ishte e pranishme gjatë seancës së sotme.

http://kallxo.com/albin-kurti-mungon-ne-gjykimin-per-lotsjellesin/

Sipas aktakuzës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.