Policia Largon Veturat e Parkuara Keq Mes Kundërshtimit të Qytetarëve

KALLXO.com-i ndoqi aksionin e policisë për largimin e makinave nga trotuaret e rrugës “Afrim Zhitia” të “Bregut të Diellit”.

Për parkim kaotik në këtë rrugë që pengonte lëvizjen e lirë të këmbësorëve, policisë i ishte ankuar njëri nga banorët. I njëjti ankesën e tij e kishte dërguar gjatë fundjavës edhe në KALLXO.com.

Policia, duke iu përgjigjur kësaj ankese, ka ndërhyrë sot për të vënë rregull, duke tentuar të disiplinojë me dënime shoferët që parkuan veturat e tyre keq.

Megjithatë, disa prej tyre arritën të largohen me gjithë makina, disa u gjobitën, e disave iu morën veturat.

Enver Salihu, një qytetar që mori gjobë për parkim të gabuar, tha se nuk ka ku ta lë tjetërkund makinën.

“Dihet çfarë shteti, nuk kemi shtet, nuk kemi pushtet, nuk kemi kurrgjë. Jam i emocionuar nga këto parregullsi, padrejtësi,” foli me mllef Salihu.

Edhe Selvie Kadriu, një qytetare tjetër u ankua për mungesë parkingu.

“Problemi i parkingut ka ekzistuar gjithmonë. Zgjidhje ka mundur me pasë, nuk është bërë edhe sot po e shoh pa paralajmërim kerret po iu konfiskohen qytetarëve pa fajin e tyre,“ tha ajo.

Përkundër kundërshtimeve të qytetarëve, policët që ndërhynë thanë se vetëm po kujdesen për zbatimin e rregullave të komunikacionit dhe se shkelja e tyre duhet të gjobitet.