Pal N. Lekaj, djaloshi që prej dje nuk u kthye në shtëpi | Foto: Facebook

Policia: Lajmërohet i Mituri i Zhdukur Dje në Gjakovë

Policia e Kosovës thotë se i mituri nga Gjakova për të cilin sot u raportua që është zhdukur pa gjurmë i është lajmëruar familjes së tij.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi komandanti i Policisë në Gjakovë, Krist Gjokaj.

“I mituri që është në kërkim nga Policia ë shtë lajmëruar babait të tij në telefon”, tha Gjokaj.

Sipas komandantit të Policisë, djali ka thënë se është në një depo me emrin “Benjamini Komerc” dhe se më pas i është ndalur telefoni.

“Policia i ka lokalizuar dy vende dhe janë në kërkim. Policia ende nuk e ka në dorë të miturin”, shtoi Krist Gjokaj për KALLXO.com.

Se familja ka kontaktuar me 15-vjeçin Pal Hiseni, ka treguar edhe motra e tij, Dorentina.

Në një postim në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar: “Të nderuar, vëllai im Pali është lajmëruar, nuk kemi te dhëna të sakta të vendndodhjes së tij, por jemi në pritje të na lajmërojnë organet shtetërore për gjetjen e tij!”.

KALLXO.com publikoi sot apelin e babait të Palit, Nikës, për t’i ndihmuar për gjetjen e djalit të tij, i cili për herë të fundit ishte parë dje rreth mesditës.