Droga e konfiskuar në një operacion të mëparshëm të Policisë | Foto: KALLXO.com

Policia Konfiskon Drogë dhe Armë

Në operacionin e koduar me emrin “Bari” në Prishtinë, Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka arritur të konfiskojë gjatë një bastisjeje 57 kilogramë e 69 gramë narkotikë të llojit marijuanë.

Gjatë këtij aksioni është arrestuar personi me inicialet A. S. i lindur në vitin 1989, të cilit me urdhër të prokurorit i është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh.

Një aksion tjetër i policisë është zhvilluar në Merdar në pikën kufitare Kosovë-Serbi. Gjatë këtij aksioni është ndaluar një mjet transportues nën dyshimin e transportit ndërkombëtar të drogës.

“Është ndaluar një automjet transportues që drejtohej nga i dyshuari me inicialet  I.O. i lindur në vitin 1977 dhe pas kontrollimit në rimorkion e tij janë gjetur katër çanta substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë 31 kg e 600g”, tregoi policia.

Më pas ky aksion u shoqërua me bastisje gjatë të cilave u konfiskuan edhe armë.

“Në vazhdim të operacionit janë bastisur tri lokacione tjera me ç’rast janë gjetur tri revole, 79 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe para  në vlerë prej rreth 19 mijë eurove”, u tha në konferencën e policisë për gazetarë.

Pas ndalimit të këtij automjeti transportues u arrestua vozitësi i tij me inicialet I. O., i lindur në vitin 1977 ndërsa pas bastisjeve në pranga policore përfundoi edhe personi me inicialet M. R., i lindur në vitin 1968.

Dy të arrestuarve iu caktua ndalimi policor prej 48 orësh.

Lidhur me këtë rast në kërkim janë edhe dy persona tjerë të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar automjeti transportues dhe tri vetura.

Javëve të ardhshme në emisionin “Drejtësia në Kosovë” në rubrikën “Policia” mund të ndiqni njërin nga aksionet e policisë gjatë kësaj jave.

Policia edhe pardje konfiskoi një sasi të madhe droge.

http://kallxo.com/policia-zbulon-droge-ne-4-canta-te-zeza/