Foto-ilustrim

Policia Konfirmon Bastisjet e Arrestimet në Kryqin e Kuq Serb

Policia e Kosovës konfirmoi se të mërkurën, me autorizim të prokurorit të prokurorive themelore të rajoneve të Prizrenit, Pejës, Prishtinës, Gjilanit dhe Mitrovicës, ka zhvilluar disa kontrolle të hapësirave të Kryqit të Kuq të Serbisë si dhe në disa vendbanime të disa punonjësve të kësaj organizate.

Sipas Policisë, Drejtoritë Rajonale të Policisë kanë angazhuar zyrtarët policorë sipas vlerësimeve të tyre, ndërsa gjatë realizimit të kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dokumente të ndryshme të cilat dyshohet se janë përdorur nga individë në këtë organizatë.

“Dokumentacionet e konfiskuara dyshohet se kanë të bëjnë me regjistrimin e popullsisë, dokumentacione këto që vlerësohet të jetë të dyshimta dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi që regjistrimi i popullsisë bëhet nga institucionet kompetente të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia e Kosovës gjatë këtij operacioni policor ka intervistuar disa individë që në momentin e kontrollimeve janë hasur në ato hapësira, në të cilat është gjetur materiali për regjistrim të popullsisë.

“Gjatë realizimit të operacionit policor në Mitrovicë-Veri, disa zyrtare policor kanë pësuar lëndime pasi janë sulmuar nga disa persona të dyshuar, ndaj të cilëve është inicuar rasti për sulm ndaj personit zyrtar”, tha Policia.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të e saja ligjore”, thuhet në komunikatë.