Policia te banesa e deputetit Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Policia Jep Detaje për Rastin e Deputetëve Kurti e Kada-Bujupi

Policia e Kosovës ka dhënë shpjegime rreth urdhëresës së Gjykatës Themelore – Prishtinë për të dërguar me detyrim në seancën gjyqësore të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi.

Në një komunikatë, Policia thotë se urdhëresën e përsëritur e ka pranuar më 13.10.2017.

Policia njofton se konform detyrimit ligjor, autorizimeve të saja si dhe përgjegjësisë për ta realizuar urdhëresën sipas përmbajtjes së saj, ka dërguar njësinë patrulluese në adresat e dhëna nga Gjykata për të kontaktuar me personat në fjalë, por të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e tyre, si dhe nuk ka qenë e mundur të kontaktohen përmes formave të tjera të kontaktit.

“Përkitazi me këtë, Policia ka njoftuar Gjykatën Themelore për veprimet e saj dhe mosgjetjen e personave në adresat e tyre përpara fillimit të seancës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Ndërlidhur me veprimet policore konfirmojmë se në asnjërin prej të dyja rasteve policia nuk ka rrethuar lokacione dhe nuk ka bastisur asnjë adresë banimi, andaj pretendimet e disa qarqeve informative për bastisje dhe rrethim të ndonjë vendbanimi janë të pavërteta dhe  si të tilla mbesin në suazat e spekulimeve”, thuhet në komunikatën e Policisë.

KALLXO.com raportoi se pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë parë sot në orët e para të mëngjesit pranë banesës së deputetit të Kosovës, Albin Kurti, në afërsi të parkut të qytetit. Siç merr vesh KALLXO, Policia nuk e ka gjetur Kurtin në banesën e tij.

http://kallxo.com/albin-kurtin-po-e-kerkon-policia/

Po ashtu, Policia ka shkuar ta kërkojë edhe deputeten Donika Kadaj-Bujupi, për të cilën gjithashtu Gjykata ka lëshuar urdhëresë për ta sjellë me detyrim në seancë gjyqësore.

http://kallxo.com/policia-ne-aksion-kerkon-edhe-donika-kadaj-bujupin/

Për shkak se nuk u paraqitën në seancë (përveç deputetit Faton Topalli), Gjykata e Prishtinës lëshoi urdhër-arrest për Albin Kurtin, Albulena Haxhiun e Donika Kadaj- Bujupin.

http://kallxo.com/urdher-arrest-per-albin-kurtin-albulena-haxhiun-e-donika-kadajn/

Dhe, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj “përndjekjes” ndaj deputetëve të saj.