Dardan Molliqaj prezanton atë që ai e quan struktura e krimit të organizuar në Policinë e Kosovës – Foto: KALLXO.com

Policia i Kundërpërgjigjet Akuzave të Vetëvendosjes

Përmes një deklarate për opinion Policia thotë se është institucion i zbatimit të ligjit dhe se akuzat si ato të Molliqajt nuk do të zbehin imazhin dhe përkushtimin shumë të madh të saj për t’i shërbyer vendit.

“Struktura udhëheqëse e Policisë së Kosovës mundëson menaxhim profesional sipas metodave të njohura menaxhuese për të gjitha çështjet organizative, operacionale dhe hetimore brenda PK-se”, thuhet në njoftim.

Më tej Policia vazhdon me akuzat e Molliqajt për dhomën e përgjimeve, e cila sipas këtij të fundit është përdorur jashtëligjshëm nga ana e Policisë së Kosovës.

“Referuar edhe deklarimeve rreth realizimit të përgjimeve sigurojmë opinionin e gjerë  se përgjimi i telekomunikimeve realizohet në pajtim me legjislacionin në fuqi, të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës dhe Ligjit për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike Nr. 5/L-030, si dhe gjithherë bazuar në urdhër të ligjshëm të Gjykatës kompetente”, thuhet më tutje në njoftim.

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve të saja ligjore dhe kushtetuese.

Gjatë ditës së sotme, sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, publikoi “skemën e krimit të organizuar brenda Policisë së Kosovës”.

Në krye të kësaj skeme ishte vendosur i pari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Siç po e shihni në krye të gjithë skemës është Kadri Veseli dhe anash tij është njeriu i dytë edhe në skemën tonë por edhe në skemën e SHIK-ut që është Elmi Reçica. Këtu vërehen tre sektorë të rëndësishëm të Policisë së Kosovës që kontrollohen nga Kadri Veseli përmes kryetarëve të tij”, tha Molliqaj.

Në skemën të cilën e publikoi ai paraqiten drejtori i Drejtorisë për Krime Ekonomike, Emin Beqiri, drejtori i Departamenteve të Operacioneve, Rashit Qelaj, këshilltari i Kadri Veselit, Ilmi Ramadani, shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Zenun Pajaziti, zëvendësdrejtori i Njësitit Anti-Terror, Luan Keka, drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, dhe Kadri Arifi.

Molliqaj pas prezantimit të skemës, përmendi edhe dhomën e përgjimeve, me ç’rast akuzoi Policinë se në mënyrë të jashtëligjshme ka përgjuar qytetarët.

“Sipas informatës tonë nuk e dimë sot qysh është gjendja por për vite të tëra përgjimet nga Policia e Kosovës në masë të madhe kanë qenë të jashtëligjshme”, tha Molliqaj.

“Për vite të tëra, dhoma kur janë bërë përgjimet e qytetarëve të Kosovës ka qenë brenda Policisë së Kosovës. Dhe Policia e Kosovës ka pasur qasje tërë kohën në përgjimet e qytetarëve pa pasur vendim për përgjime”, tha Molliqaj.

Ai kërkoi nga Policia e Kosovës që nëse ky nuk është informacion që nuk prish rrezikun publik të bëj publik kontratën të cilën e ka me IPKO-n dhe Vala-n.