Policia: Grupi Kreu dhe Organizoi Sulmin në Kuvend

Policia në konferencën për gazetarë njoftoi se grupi i të arrestuarve e ka kryer dhe organizuar sulmin me mjet shpërthyes në Kuvendin e Kosovës më 4 gusht.

Kapiteni Luan Keka nga Drejtoria kundër Terrorrizmit ka thënë se policia ka prova bindëse te cilat dëshmojnë se të arrestuarit e kanë blerë motoçikletën me të cilën është kryer sulmi në Kuvend.

Ai po ashtu ka dhëne detaje sipas të cilave të dyshuarit kanë poseduar pajisjet nga të cilat është lëshuar komunikata me të cilën është pranuar përgjegjësia për sulmin.

Pas sulmit në Kuvend policia kishte gjetur një motoçikletë të braktisur, ndërsa sulmi ishte marrë përsipër nga një e-mail i dërguar me emrin Rugovasit.

Keka ka paraqitur para medieve disa fotografi ku sipas tij shihen anëtarët e grupit duke kryer aktivitete.

Prokurori Abdyrrahim Islami tha se që nga sulmi në Kuvend prokuroria ka dërguar shumë shkresa për të lejuar përgjimet ligjore të grupit.

“Prokuroria që nga momenti i parë që nga data 5 gusht 2016 ka vepruar dhe ka lëshuar me dhjetëra e dhjetëra kërkesa, sikur për përgjimin ligjor para operatorëve telefonikë ligjorë si dhe kompanive të ndryshme të tjera për të vërtetuar të gjitha dyshimet,” tha Islami.

Policia e Kosovës në një aksion të sotëm të përbashkët arrestoi sot gjashtë persona. Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi janë këta të arrestuar.

KALLXO.com shkroi sot për këtë aksion të policisë në kohën kur ai ishte duke ndodhur.

http://kallxo.com/policia-po-ben-bastisje-per-sulmin-bombe-ne-kuvend/