Policia kontrollon një maune në Autostradë - Foto: PK

Policia Gjobit 179 Mjete të Rënda Transporti

Sipas njoftimit të Policisë, pas kontrollit në 179 raste janë gjetur shkelje të rregullave të trafikut rrugor dhe për pasojë janë shqiptuar po aq gjoba. Prej tyre 45 gjoba u janë shqiptuar ngasësve të kamionëve për drejtim të automjetit me goma të vjetruara dhe të dëmtuara.

Sipas një njoftimi të Policisë, plani është realizuar në autostradat “Ibrahim Rugova” dhe “Arbër Xhaferi” dhe ka pasur për fokus kontrollimin e mjeteve të rënda të transportit (kamionëve, maunave).

“Kontrolli policor është fokusuar, por nuk është kufizuar vetëm në: kontrollimin e gomave të automjeteve të rënda transportuese, bartjen (transportin) e gjësendeve të pambuluara (rimorkio të pambuluara), regjistrimi i këtyre mjeteve etj”, thuhet në njoftim.

Plani operativ “Mjetet e Transportit 2017” ka filluar më 29.5.2017 dhe pritet të vazhdojë me qëllim  parandalimin e aksidenteve të mundshme dhe zvogëlimin e rreziqeve në rrugët e Kosovës.