Foto-ilustrim

Policia Gjen një të Lënduar Rëndë dhe e Dërgon në Spital

Një patrullë policore përderisa po patrullonte në rrugën “De Rada” në Prizren mbrëmë rreth orës 22:40 kishte hasur në një qytetar të lënduar.

Policët e kanë thirrur emergjencën për të dalë në vendin e ngjarjes por duke e parë se viktima kishte rrjedhje gjaku dhe për të mos humbur kohë është dërguar me automjet të Policisë në Spitalin Rajonal në Prizren, ku i është nënshtruar trajtimit mjekësor.

Siç njofton Policia Rajonale e Prizrenit, sipas hetimeve fillestare, dyshohet se ka ndodhur një përleshje në mes të tre personave.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, një i dyshuar është arrestuar dhe është ndalur në mbajtje mbi bazën e dyshimit se i njëjti ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor.