Foto Arkiv

Policia Gjen Armë, Drogë dhe Mulli Droge në Prishtinë

Policia e Kosovës ka arrestuar një person dhe ka konfiskuar gjësende të ndryshme në një operacion mbrëmë në kuadër të hetimeve lidhur me incidentin e së mërkurës në mbrëmje në Rrugën B në Prishtinë ku mbetën dy persona të lënduar.

Në kuadër të këtij operacioni që ka zgjatur rreth tri orë në rrugën “Vëllezërit Domaneku” në Prishtinë, është arrestuar një mashkull 24 vjeçar, shtetas i Kosovës, si i dyshuar për këtë rast.

Ky është i dyshuari i katërt për këtë rast që përfundon në pranga, meqë tre të tjerë ishin arrestuar një ditë më parë.

Gjatë operacionit, policia ka thënë se ka sekuestruar një revole të tipit Colt, një pistoletë të tipit HS, 3 maska, 9 telefona mobil, 14 fishekë, 2 mbajtëse të armëve, një IPad, 1 laptop, 2 mbushëse të radiolidhjeve, 4 qese substancë e dyshuar narkotike, 1 bimë narkotike e mbjellë në saksi, 2 mullinj për bluarje të narkotikëve, 1 pajisje për tymosjen e narkotikëve, para të gatshme në Euro e Dinarë, 2 pasaporta, 2 dokumente identifikuese që dyshohet të jenë të falsifikuara dhe gjësende tjera që mund t’’u shërbejnë hetuesve si prova për dokumentimin e rastit.

“Aktualisht  zyrtarët policor po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me këtë ngjarje, ndërkohë që personi i dyshuar me urdhër të prokurorit  është dërguar  në mbajtje”, thuhet në komunikatën e policisë.

“Kontribut të veçantë në zbulimin e këtij rasti kanë dhënë edhe qytetarët, të cilët i falënderojmë dhe njëkohësisht i ftojmë që të bashkëpunojnë me policinë në mënyrë që bashkërisht të kontribuojmë në ngritjen e shkallës së sigurisë”, tha policia.

Foto: Policia