Foto-ilustrim

Policia e Vjetër e Vendit me Shumë të Rinj

Komisioni për Punë të Brendshme në Kuvendin e Kosovës sot shpalosi të gjeturat në lidhje me zbatimin e Ligjit për Policinë e Kosovës.

Anëtarët e partive të pozitës thanë se kanë zhvilluar vizita në terren për të parë se a po funksionon policia në bazë të ligjit.

Sipas Nuredin Ibishit, kryesuesit të grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, bashkëpunim i policisë me qytetarët është shumë i dobët, gjithashtu sipas Ibishit, mungesa ka edhe tek bashkëpunimi i policisë me prokurorinë dhe me gjyqësorin.

“Mungesa e programeve edukative dhe trajnimeve në polici, si dhe mësimi për ngritjen e kapaciteteve të vazhdueshme në punë, për rëndësinë e parandalimin e zyrtarëve policor në raste korruptive,” janë vërejtjet tjera të Ibishit në zbatimin e Ligjit për Policinë.

Ibishi në komision tha se policia nuk qëndron mirë as me statistikat që ka për kriminalitetin dhe shkeljet tjera.

“Statistikat i shërbejnë çdo herë aspektit të angazhimit policor sidomos në parandalim edhe në trafik edhe në parandalimin e kriminalitetit, e sidomos kur ka trend të rritjes, e që nuk është bërë në mënyrën më të mirë,” tha Ibishi.

Ndërsa sipas Ibishit edhe më shqetësues është fakti i zbatimit të testit të integritete tek policia, që sipas tij, nuk kryhet në masën e duhur nga ana e Inspektoratit Policor,

“Thuhet se ka pasur dikun 5 raste të testit apo hetimit të integritetit, mirëpo ajo është mbajtë si një sekret …mbajtjen në brendi, pa një sistem të njoftimit edhe të strukturës së policisë, por edhe të opinionit që ekziston ky sistem i hetimit, apo testit të integritetit të brendshëm brenda strukturës së policisë ka krijuar që korrupsioni të jetë prezent,” tha Ibishi.

Ibishi tregoi se Kosova ka policinë më të vjetër me moshë në rajon.

“Mosha mesatare e zyrtarëve të Policisë së Kosovës është 43 vjeçe dhe kjo është shqetësim, sepse ka të bëjë me policinë më të vjetër në rajon, sepse mosha e shtyn edhe kryerjen e detyrave policore,” tha ibishi.

Ndërsa për deputeten Ganimete Musliu shqetësuese ishte vlera e pagesës së ndërrimit të natës për policët e Kosovës.

“Nuk është e drejtë që ndërrimi i natës të paguhet 5 euro dhe një infermiere të paguhet 18 euro, besoj që kjo duhet të rregullohet me ligj,” tha ajo.