Policia e Prokuroria Dështuan në Tragjedinë e Fajdeve

Tragjedia e dy vëllezërve Murat e Petrtit Mehana e cila ndodhi në shtator të vitit 2011 vazhdon të mbetet mister për organet e ndjekjes.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, në hulumtimin për fajdet në Mitrovicë, citoi drejtorin rajonal të policisë në Mitrovicë se vëllezërit Mehana nuk janë viktimat e vetme të fenomenit të jashtëligjshëm të fajdeve.

“Burime apo informacione të pakonfirmuara tregojnë së ekzistojnë edhe viktima tjera. Nuk mund të flas me numër mirëpo ekzistojnë, janë dy apo tri kategori. Ka aso kategorish që e mbajnë shumë fshehtë nuk e diskutojnë as me familjarë as me të afërm, ka aso kategori që kur kanë ardhur para një falimentimi financiar fillojnë me u anku para të afërmve apo shokëve të tyre”, tha drejtori i policisë Nehat Thaçi.

Sipas tij, mungon bashkëpunimin i këtyre njerëzve me policinë sepse rastet si këto të fajdeve “mbahen të fshehta”.

“Ne si polici e kemi problem sepse  qytetarët e prekur nga kjo kategori nuk vijnë te ne. Ne jemi ata që u ofrohemi këtyre viktimave për me bashkëpunu me policinë po prapë nuk vinë. Arsyet nuk i di, ndoshta është fenomen në vete pse nuk bashkëpunojnë”, theksoi Thaçi.

Nehat Thaçi këto komente i bëri gjatë emisionit kur u pyet se pse nuk ka fajtorë për dy vdekjet e vëllezërve Mehana dhe se a ka dështuar shteti ta zbardhë këtë rast.

Policia e prokuroria ende nuk kanë arritur t’i gjejnë nxitësit e tragjedisë së familjes Mehana përderisa edhe publikisht e pranojnë se janë të pafuqishëm  për të argumentuar shkaktarët e kësaj ngjarje.

Emisionin “Drejtësia në Kosovë” për rastin e familjes Mehana mund ta ndiqni të plotë në linkun e mëposhtëm: