Policia e Malit të Zi jashtë Ambasadës Amerikane, Foto: Anadolu Agency

Policia e Malit të Zi: Sulmi Ndaj Ambasadës Amerikane Nuk Ishte Sulm Terrorist

Policia malazeze tha të enjten se njeriu që hodhi një granatë në kompleksin e ambasadës së SHBA në Podgoricë dhe më pas vrau veten, nuk kishte asnjë dosje penale dhe se sulmi nuk ishte një akt terrorizmi.

Departamenti i Shtetit të ShBA-së gjithashtu tha të enjten se nuk beson se sulmi ndaj ambasadës amerikane në Malin e Zi “është pjesë e një kërcënimi të vazhdueshëm”.

Mediat amerikane cituan zëdhënësen e Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Heather Nauert, duke thënë se shërbimet konsullore në ambasadë u mbyllën të enjten për atë ditë “nga një kujdes i shtuar”, por se ambasada mbetet e hapur për shërbime emergjente.

Zëdhënësja e FBI-së, Nora Scheland gjithashtu tha se “FBI po ndihmon partnerët tanë në Malin e Zi si pjesë e hetimit të tyre”.

Prokuroria e Lartë e Shtetit të Malit të Zi, e cila po udhëheq hetimin, tha gjithashtu se deri tani nuk ka indikacione se sulmi ishte një akt terrorizmi.

Sulmuesi u identifikua nga policia nën inicialet D.J, por familja dhe miqtë e tij konfirmuan se ai ishte veterani 43-vjeçar i luftës, Dalibor Jaukoviq.

Jaukoviq, një shtetas malazias i lindur në Serbi, luftoi me forcat e Ushtrisë Jugosllave në Kosovë në vitin 1999 dhe u dekorua nga Presidenti Jugosllav, Sllobodan Millosheviq.

Mediat vendase thanë se ai kishte shprehur ndjenjat anti-NATO, duke cituar një koment që ai e kishte postuar në facebook.

Policia malazeze tha se ata dhe FBI po kontrollojnë llogaritë e Jaukoviqit në rrjetet sociale, duke kërkuar nëse ai ka vepruar vetëm ose ka bashkëpunëtorë.

“Ai nuk kishte asnjë sfond kriminal … ende po kontrollojmë motivet”, tha të enjten në një konferencë shtypi, shefi i Policisë Kriminale, Enes Bakoviq.

Zyrtarët amerikanë dhe malazezë thanë se askush nuk është plagosur gjatë sulmit.