Policia e Kosovës në Shkodër gjatë ndeshjes Kosovë-Kroaci | Foto e ardhur në KALLXO.com

Policia e Kosovës Ende pa Ftesë për Sigurimin e ‘Loro Boriçit’

Policisë së Kosovës ende nuk i është kërkuar nga Shqipëria ofrimi i sigurisë në ndeshjen Kosovë-Islandë që do të zhvillohet nesër mbrëma në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Bajram Krasniqi, zëdhënësi i Policisë së Kosovës tha për KALLXO.com se deri tash Policia e Shqipërisë nuk ka kërkuar ndihmë rreth ofrimit të sigurisë për ndeshjen nga policia kosovare.

“Deri në këto çaste Policia e Shtetit nuk ka kërkuar asistencë nga Policia e Kosovës, shohim më vonë si rrjedhin ngjarjet”, tha Krasniqi.

Por Krasniqi tregoi se në Shkodër ndodhet njëri nga togerët e Policisë së Kosovës që po koordinohet me policinë shqiptare për çështjet e sigurisë që lidhen me takimin Kosovë-Islandë.

Kombëtarja e Kosovës në futboll sot ka vazhduar përgatitjet e fundit  për ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Rusia 2018”.

Kombëtarja e Kosovës garon në kuadër të Grupit I.

Deri më tani përfaqësueset e këtij grupi kanë zhvilluar nga 4 ndeshje. Kosova tri i ka humbur dhe në një ka barazuar.

Kosova është e fundit në tabelë me një pikë, ndërsa Kroacia e para me 10 pikë.

Në ndeshjen e 6 tetorit të vitit të kaluar kur Kosova u ndesh me Kroacinë, policë kosovarë të njësive speciale dhe të trafikut, krahas atyre të Shqipërisë ofruan siguri në “Loro Boriçi”.

http://kallxo.com/policia-e-kosoves-ofron-siguri-ne-loro-borici/