Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës Bëhet me BMW X6

KALLXO.com mëson se vetura është konfiskuar me vendim të Gjykatës për përfshirje në vepër penale. Ajo është nën mbikëqyrjen e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

“Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar ka nën administrimin e saj veturën BMW X6, e pranuar sipas vendimit të plotfuqishëm nga Gjykata Themelore në Pejë P.nr. 984/13 e datës 19.01.2015. Pasuria në fjalë është e konfiskuar me vendim të prerë” thuhet në përgjigjen për KALLXO.com të Zyrës për Informim në Ministrinë e Drejtësisë.

Rrahim Rama, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar e ka pranuar se një nga veturat e konfiskuara i është dorëzuar Policisë së Kosovës.

“Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, në përputhshmëri me dispozitat ligjore në fuqi, veturën në fjalë e ka dorëzuar për shfrytëzim te Policia e Kosovës”, ka thënë Rama, në një përgjigje më shkrim.

Por, KALLXO.com ka mësuar se bëhet fjalë për veturën BMW X6, e cila i është kaluar Policisë së Kosovës. Madje, burimet thonë se e njëjta veturë ishte servisuar nga kjo Agjenci.

KALLXO.com më herët kishte nisur një hulumtim rreth tenderit të iniciuar nga Ministria e Drejtësisë për servisimin e veturës BMW X6.

Kjo ministri më 5 tetor 2016 në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), publikoi njoftimin për  nënshkrimin e kontratës për tenderin “Servisimi i Automjetit BMW X6”.

Riparimi dhe servisimi i makinës luksoze “BMW X6” të konfiskuar me vendim gjykate do t’i kushtojë Ministrisë së Drejtësisë 868 euro e 40 centë.

Por, Ministria e Drejtësisë nuk ka treguar se vetura në fjalë po riparohet për t’ia dhënë në shfrytëzim institucioneve të Kosovës.

“Veturat të cilat janë nën administrim të agjencisë i nënshtrohen mirëmbajtjes me qëllim të ruajtjes së vlerës ose rritjes së saj. Veprimet të cilat janë ndërmarrë për servisim të këtij automjeti janë bërë me qëllim që pasuria në fjalë të bëhet funksionale dhe e shfrytëzueshme,” thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim e Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo ministri ka thënë se vetura do të mbahet në depo.

“Vetura në fjalë nuk është në shfrytëzim dhe e njëjta mbahet në Depo Qendrore të Agjencisë në fshatin Llukar, Komuna e Prishtinës,” shpjegoi zyra e ministrisë së drejtësisë.

KALLXO.com ka pranuar një përgjigje sqaruese nga Policia e Kosovës rreth makinës “BMW X6” që i është ndarë Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani thotë se deri më tani i kanë pranuar pesë vetura nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

“Të gjitha vendimet dhe veprimet e ndërmarra në këto procese të pranimit janë kompatibile me ligjet në fuqi dhe të njëjtat vetura shërbejnë për nevoja policore me qëllim të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive policore,” tha Kelani.

Ai thotë se këto vetura do të jenë në shfrytëzim të njësive të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

“Në të gjitha rastet pas pranimit të automjeteve, të njëjtat regjistrohen dhe përgatiten për dalje në komunikacion, ku disa prej tyre ende janë në këtë proces dhe varësisht prej llojit të automjeteve dhe nevojave operacionale policore, ato iu dedikohen njësiteve të ndryshme policore për realizim të detyrave policore në teren,” tha zëdhënësi i Policisë, Kelani.

Në tetor të këtij viti Rrahim Rama, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar u ankua se kërkesat e agjencisë për shitje të pasurisë së konfiskuar të krijuar me vepra penale nuk po marrin përgjigje nga gjykatat.

http://kallxo.com/200-kerkesat-pa-pergjigje-per-pasurine-e-sekuestruar/