Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës Arreston 11 Serbë e Rusë

Këta persona janë arrestuar në lagjen Sekiraqa në fshatin Matergovc të Podujevës.

Arrestimi ka ndodhur rreth orës 13:00.

Policia Kufitare kishte ndërmarrë masat e nevojshme policore pasi që përmes rrugëve operativo-hetimore kishte siguruar informacione se në lagjen e quajtur Sekiraqa në fshatin Metergof të Podujevës pritet të hyjnë në mënyrë të paligjshme disa shtetas serbë dhe rusë.

“Si rezultat i punës rreth orës 13:45 në lokacionin  e cekur, saktësisht tek tabela paralajmëruese e KFOR-it e cila tregon afërsinë e kufirit, kanë ndaluar dy automjete të dyshuara me targa të Serbisë. Gjatë kontrollit të dy automjeteve “Mercedes” kombi ngjyrë e bardhë, janë ndaluar gjithsej njëmbëdhjetë (11) persona të dyshuar, nën dyshimin e bazuar për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror”, njofton Policia e Kosovës.

Në mesin e të ndaluarve janë pesë shtetas të Serbisë dhe gjashtë të Rusisë. Të ndaluarit janë të dy gjinive.

Personat e dyshuar së bashku me automjetet janë dërguar në stacion të Policisë Kufitare për intervistim dhe procedim të mëtejmë, sipas procedurave të parapara ligjore.

Lidhur me rastin janë njoftuar prokurori kujdestar i shtetit, Oda e Avokatëve të Kosovës dhe zyra ndërlidhëse ruse në Republikën e Kosovës.