Pamje pas një aksidenti trafiku - Foto: Rtv21

Policia Apelon për Kujdes Pas 3 Vdekjeve në Aksidente

Policia e Kosovës apeloi sot që pjesëmarrësit në komunikacion të kenë kujdes, pasi gjatë 24 orëve në dy aksidente vdiqën 3 persona.

“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët e vendit, që të respektojnë dispozitat ligjore që dalin nga ligji për rregullat e trafikut rrugor, të respektojnë shenjat e trafikut, kufizimet e shpejtësisë, t’u përshtaten kushteve të rrugës, si dhe të mos e përdorin telefonin gjatë vozitjes”, thuhet në apelin e policisë.

Policia më tutje kërkon kujdes të shtuar sidomos në mëngjes dhe mbrëmje.

“Të gjithë drejtuesve të automjeteve u bëjmë thirrje që të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit në rrugë, posaçërisht tani kur kanë filluar ndryshime atmosferike, reshje dhe shfaqje të mjegullave, gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit kur mund të paraqiten edhe ngrica të cilat vështirësojnë qarkullimin”, thuhet më tutje në apilin e policisë.

Policia në fund tregon se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj atyre që shkelin rregullat e trafikut.

Për dy vjet e gjysmë në Kosovë 277 persona kanë vdekur në aksidente.