Foto-Ilustrim

Policia-Aksion për Largimin e Automjeteve të Paregjistruara

Policia e Kosovës ka njoftuar se për pjesëmarrësit që shkelin rregullat e trafikut ka realizuar një operacion që për qëllim kishte identifikimin, ndëshkimin dhe largimin nga qarkullimi në trafikun rrugor të mjeteve të paregjistruara.

Ky operacion i cili është realizuar gjatë një jave ka rezultuar me 332 gjoba për kundërvajtje ndaj shoferëve që kanë vozitur makina të paregjistruara.

Sipas policisë, 196 mjete janë larguar nga trafiku rrugor dhe 47 palë targa janë konfiskuar.

Policia gjithashtu njoftoi se me masat që po i ndërmerr është ulur numri i aksidenteve.

“Falë angazhimit dhe masave shtesë të njësiteve policore dhe falë sensibilizimit të pjesëmarrësve në trafik, për periudhën krahasuese janar-mars 2017, me periudhën e njëjtë kohore janar-mars 2016, është shënuar ulje e aksidenteve me pasoja fatale për -18.18 për qind”, thuhet në njoftim.

Në shkurt të këtij viti KALLXO.com shkroi se që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, ka më pak aksidente në rajonin e Prishtinës.

http://kallxo.com/ligjin-e-ri-11-per-qind-pak-aksidente/

Që nga janari e deri në prill Policia e Kosovës në Prishtinë ka zhvilluar aksion për konfiskimin e makinave të parkuara në mënyrë të parregullt.

http://kallxo.com/tre-muaj-mbi-1200-vetura-te-konfiskuara-ne-prishtine/