Makinat zyrtare me mbishkrimet e VV-së

Policia: 60 Vetura u Dëmtuan në Aksionin e VV-së

Sipas policisë në aksionin e djeshëm të Lëvizjes “Vetëvendosje” janë dëmtuar 60 makina, mes tyre edhe një e forcave të rendit.

“Raportohet se 250-300 persona-aktivistë te lëvizjes “Vetëvendosje” kanë protestuar para Ministrisë se Drejtësisë të cilët kanë qenë te dhunshëm, duke gjuajtur me mjete te forta  ne drejtim te zyrtarëve policorë e me pas  kanë dëmtuar edhe 60 vetura, një  veturë pronë e PK-së, ndërsa te tjerat pronë e ministrisë”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Policia në raport njofton edhe për dëme tjera.

“Gjatë protestës janë dëmtuar edhe muret e ndërtesës se ministrisë, laura ne hyrje te objektit si dhe kabina për sigurimin e objektit. Lidhur me rastin eshtë njoftuar prokurori”, sqaron më tutje raporti.

KALLXO.com raportoi dje për protestën e aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” te ndërtesa e qeverisë që më parë ishte pallat i medieve.

Në këtë ndërtesë është e vendosur Ministria e Drejtësisë, të cilën bashkë me policinë, Lëvizja “Vetëvendosje” e bën përgjegjëse për vdekjen në Qendrën e Paraburgimit në Prizren të Astrit Deharit.

Dehari vdiq në këtë qendër më 5 nëntor të vitit të kaluar derisa po bahej në paraburgim si i dyshuar për sulmin me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2016.

Dje nga vdekja e Deharit u bënë gjashtë muaj.

“Po të mos ishte ky rast i montuar Astriti do të ishte i gjallë”, tha dje deputeti i “Vetëvendosjes” Glauk Konjufca, teksa aktivistët shkruan fjalët “Drejtësi për Astritin” në muret e ndërtesës së qeverisë dhe në makinat e Ministrisë së Drejtësisë.

http://kallxo.com/drejtesi-per-astritin-ne-qeveri-dhe-makina/

KALLXO.com xhiroi momentet kur gjatë këtij aksioni pati fërkime mes aktivistëve dhe policisë.

http://kallxo.com/ferkimet-vv-polici-ne-aksionin-per-deharin/

Policia, aktivitetet e djeshme gjatë këtij aksioni i ka vlerësuar si dëmtim të pasurisë dhe sulm ndaj personit zyrtar.