Një seancë e gjykimit ndaj Ardian Mehmetit, Valon Shalës, Genc Selimit, Musli Hysenit dhe Nuredin Sylejmanit. Foto: Kallxo.com

Polici i Inflirtuar Rrëfen Takimet me të Akuzuarit për Terrorizëm për Blerjen e Armëve

Në gjykimin e Ardian Mehmetit, Valon Shalës, Genc Selimit, Musli Hysenit dhe Nuredin Sylejmanit, të akuzuarve për vepra që lidhen me terrorizëm vazhdoi dëshminë dëshmitari i mbrojtur me emrin e koduar Tafil.

Dëshmitari i mbrojtur i cili ka qenë polic hetues në këtë rast u mor në pyetje përmes video linkut.

Fillimisht, ai u mor në pyetje për rreth pesë orë, deri në përfundimin e orarit të rregullt të punës, nga Prokurori Drew Engel, por kjo nuk i ka mjaftuar, prandaj marrja në pyetje do të vazhdojë edhe në seancat në vijim.

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

Dëshmitari Tafil deklaroi se plani operativ ndaj këtij rasti ishte i quajtur “Uragan” dhe çdo gjë kishte filluar kur kishin pranuar një informacion në Drejtori më 23 shtator të vitit 2013.

Ai tha se kjo detyrë iu caktua atij dhe një kolegut të tij me emrin e koduar “Premtim”. Synimi ishte t’i hetonin këta persona se për çfarë qëllimi kanë blerë armë.

Fillimisht ai tha se kishin pasur informata për të akuzuarin Genc Selimi, e më vonë “kanë dalë edhe të tjerët” nga të akuzuarit.

Si polic i infiltuar, së bashku me kolegun e tij “Premtimin”, po ashtu i infiltuar, ai tha se gjatë zhvillimit të hetimeve kishin pasur disa takime me të akuzuarit.

Takimi i pari sipas dëshmitarit kishte ndodhur më 5 tetor të vitit 2013 në një restorant në Klinë.

Në këtë takim, që sipas dëshmitarit ishte zhvilluar për biznes, ai tha se kishin qenë tani më të akuzuarit Genc Selimi, Ardian Mehmeti, Valon Shala dhe Musli Hyseni.

“Kur është ulur në tavolinë Genci na ka thënë ‘jam ardhë mi pa ato se më ka dërgu dikush’. Premtimi e ka pyet ‘çfarë më konkretisht ke ardhë me pa’, ai është përgjigjur ‘10 AK 47, armët e shk***’”, tha dëshmitari.

Në këtë takim, sipas dëshmitarit, nga të akuzuarit janë porositur 15 armë, të llojit “AK 47”, me çmim prej 250 euro për secilën prej tyre.

Më tej, në këtë takim ai tha se me të akuzuarit e tjerë kanë biseduar edhe për armë të tjera, si silenciatorë dhe snajper “C4”.

Pas këtij takimi, takimi i radhës u vendos të caktohet nëpërmjet telefonit në momentin kur do të siguroheshin paratë për blerjen e armëve.

Takimi i radhës tha se ishte zhvilluar më 28 tetor të vitit 2013. Pjesë e takimit ishin të akuzuarit Nuredin Sylejmani, Genc Selimi dhe Ardian Shala.

Të njëjtit, sipas tij, në atë takim kishin kërkuar që t’i shikonin armët të cilat gjendeshin në bagazhin e veturës së tij dhe të kolegut me emrin e koduar Premtim.

Kur janë afruar t’i shikonin armët, dëshmitari tha se Genc Selimi ka dashur të prekë snajperin, por Ardian Shala ka reaguar me fjalët “mos e prek që të mesin gjurmët”.

“E gjithë kjo situatë vëzhgohej nga ana jonë dhe e njësive relevante”, shtoi dëshmitari.

Prokurori Engel, ndër pyetjet e tjera, kërkoi nga dëshmitari që të identifikonte të akuzuarit në gjykatë veç e veç.

Polici hetues përmes videolinkut arriti t’i identifikonte të gjithë të akuzuarit duke i përshkruar ata me veshjet e tyre.

“Ai tek shenja e ‘EXIT’; ai me jakne të zezë të lëkurës; Nuredini e ka pasë mjekrën pak më të rritur, por si duket tash e paska hekë”, përshkruante dëshmitari dukjen e të akuzuarve në gjykatore.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.