Gjykata Themelore e Pejës - Foto: KALLXO.com

Polici i Kosovës Favorizoi Djalin e Dajës

Pasi Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim çështjen e Besim Jasiqit, ish-zyrtarit policor të akuzuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare, ka nisur nga fillimi procesi gjyqësor kundër tij.

Jasiqi ngarkohet se në një procesverbal të përpiluar për një aksident komunikacioni falsifikoi informatat, pasi në të i ishte përfshirë djali i dajës.

Këtë e tha në fjalën hyrëse të saj edhe prokurorja Sahide Gashi.

“I akuzuari Besim Jasiqi me datën 19.8.2012 rreth ore 13.00 në Gjakovë si person zyrtar i Njësisë së Trafikut në Gjakovë , ne shkresat zyrtare ka shënuar informacione te rreme me te cila ka vulosur rezultatet me çka edhe ka kryer veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar”, tha prokurorja Gashi.

Sipas prokurores Gashi, gjatë gjykimit do të vërtetohen akuzat e ngritura ndaj Jasiqit.

Nga gjykata do të vërtetohen nga dëshmitë e dëshmitarëve, mospërputhja e raporteve të të akuzuarit dhe veprimet tjera lidhur me to. Fillimisht do të vërtetohet se menjëherë pas aksidentit të njëjtit kanë kontaktuar mes vete dhe se për to ekzistojnë përgjimet e bëra gjatë fazës së hetimeve”, tha prokurorja Gashi.

Besnik Berisha, avokati i Jasiqit kërkoi ta shikojë aktvendimin për përgjimet.

“Kërkoj ta shoh aktvendimin mbi fillimin e përgjimeve dhe po ashtu atë të përgjimeve të radiolidhjeve. Dhe se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë dhe se nuk ka ndodhur ashtu siç po pretendon prokuroria”, tha avokati Berisha.

Berisha më tutje lavdëroi të mbrojturin e tij, duke thënë se ai në ditën e aksidentit ishte në detyrë në një ditë feste.

“19 gushti 2012 për Besim Jasiqin edhe pse ishte festë zyrtare, ishte një dite pune dhe në atë ditë ishte i vetmi hetues në stacionin policor të Gjakovës dhe i vetmi i autorizuar për të trajtuar aksidentet e trafikut atë ditë”, tha Berisha.

Në bazë të aktakuzës së prokurorisë, Besim Jasiqi si person zyrtar më 19 gusht 2012 ka shënuar informacione të rreme, të cilat i ka vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulë zyrtare.

Prokuroria pretendon se Jasiqi shënoi informata të rreme në procesverbalin e aksidentit, pasi në aksident në Junik ishte përfshirë djali i dajës së tij Valon Hasanaj.

“i njëjti del në vendngjarje dhe përpilon procesverbal të rremë. Jasiqi përpilon në mënyrë të gabuar skicën e vendit të ngjarjes dhe kallëzim penal kundër Bekim Goçit, gjoja se ai ishte përgjegjës për aksidentin e shkaktuar. Më pas të njëjtat i dërgon në Prokurorinë e atëhershme Komunale në Deçan”, thuhet në aktakuzë.

Gjykata Themelore në Pejë në qershor të vitit të kaluar e kishte dënuar Besim Jasiqin me 5 muaj burgim për veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim i dokumenteve zyrtare.

Ndaj Jasiqit ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues ndalim i ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 1 viti, si dhe ishte obliguar që kompanisë së sigurimeve “Sigma” t’ia kompensojë shumën prej 4 mijë eurove në afat prej 3 muajsh.