Pamje nga një seancë e kaluar e gjykimit të zyrtarit policor, Shefqet Kameraj - Foto: KALLXO.com

Polici: E Dëgjova Lufajn Duke e Sharë Rreshterin

Zyrtari policor, Abedin Çeku dhe eksperti i mjekësor, Fahri Drevinja, nga Instituti i Psikiatrisë së Forenzikës së Kosovës, kanë dëshmuar në procesin ndaj rreshterit të suspenduar të Policisë, Shefqet Kameraj, i cili akuzohet për vrasjen e Ilmi Lufajt, vrasje kjo që ka ndodhur në prill të vitit të kaluar në Deçan.

Polici Çeku tregoi para Gjykatës në Pejë se në natën kritike ka qenë në detyrë në Stacionin e Deçanit.

Ai tregoi se fillimisht të ndjerin Lufaj e kishte parë te sheshi “Mentor Tolaj”, ku Policia po bënte ekzaminimin e vendit të ngjarjes pas të shtënave me armë që kishin ndodhur atë natë.

Çeku tha së Ilmi Lufajn e kishte parë duke biseduar me policin Avdi Shala, i cili i kishte kërkuar të largohet nga vendi i ngjarjes. Ai tha se më pas Lufaj ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe sipas tij ishte nisur në drejtim të Stacionit Policor.

Zyrtari policor theksoi se pasi kishin kryer ekzaminimin ishin nisur për ta bërë edhe ekzaminimin e vendit të dytë ku kishte pasur të shtëna, jo shumë larg Stacionit Policor.

Gjatë dëshmisë së tij, Çeku tha se duke shkuar tek vendi i dytë i ngjarjes kishte vërejtur të ndjerin Ilmi Lufaj para Stacionit Policor duke e sharë rreshterin Shefqet Kameraj.

“E kam vërejtur unë Ilminë para Stacionit, këndej rrethojave. Porta e Stacionit Policor ka qenë e mbyllur, ndërsa ai ka qenë jashtë oborrit me Enver Balajn dhe Avdi Shalën (zyrtarë policor). E kam dëgjuar Ilminë duke sharë Shefqetin. Shefqeti ka qenë brenda rrethojave. E ka sharë me nënë dhe familje dhe i ka thanë ‘shihemi masandej’. Pastaj jam kthyer dhe bashkë me dy kolegët e tjerë e kemi larguar në anën e kundërt të rrugës Ilminë”, tha Abedin Çeku.

Gjatë rrëfimit për rastin, zyrtari policor thotë së pasi i kishte shoqëruar kolegët e tij dhe e kishin larguar Ilmi Lufajn në anën tjetër të rrugës ishte kthyer në ekzaminimin e vendit të dytë të ngjarjes bashkë me kolegun tjetër Tahir Mazrekaj, ku kishte pasur të shtëna me armë zjarri.

Pas disa minutave ai tha së bashkë me kolegun e tij kishin dëgjuar dy krisma të tjera, të cilat sipas tij kishin ardhur nga drejtimi i qendrës së Deçanit.

Ai tha së kolegu i tij, Tahir Mazrekaj, bashkë me dëshmitë  e vendit të dytë të ngjarjes ishte nisur në drejtim të Stacionit Policor, kurse ai kishte qëndruar derisa i kishte hequr shiritat që rrethonin vendin ku kishte pasur të shtëna me armë.

“Pasi e kam përfunduar vendin e dytë të ngjarjes dhe i kam hequr shiritat, Tahiri ka shkuar para meje në Stacion. Unë pastaj e kam marrë veturën zyrtare dhe kur kam hyrë në oborr (të Stacionit Policor) e kam takuar kolegun Enver Balaj dhe Enveri më ka njoftuar së rreshteri Shefqeti e ka goditur “Lufin” në qendër, edhe tha se na po shkojmë në drejtim të ambulancës me marrë mjekun, Enveri dhe Tahiri”, deklaroi Çeku.

Ai tha se pas këtij rasti ishte transferuar në Stacionin Policor të Gjakovës.

Gjatë seancës së sotme ka dëshmuar edhe eksperti mjekësor, Fahri Drevinja nga Instituti i Psikiatrisë së Forenzikës së Kosovës.

Neuropsikiatri Drevinja tregoi për hapat e ndërmarrë për përpilimin e raportit të ekzaminimit për të akuzuarin Shefqet Kameraj.

Fillimisht, prokurori Haxhi Sinanaj kërkoi nga eksperti mjekësor të dijë se si është ndërtuar ekspertiza e raportit për gjendjen psikike të të akuzuarit natën kur kishte ndodhur vepra penale.

Drevinja tha se ekzaminim mjekësor, përveç dëshmisë së të akuzuarit është bërë në bazë të shkresave të lëndës, përvojës së ekspertëve që kanë punuar në raste të ngjashme dhe literaturës së një eksperti kroat.

“Janë analizuar të gjitha dokumentacionet që i kemi pasur, shkresat e lëndës, janë analizuar të gjitha gjetjet gjatë ekzaminimit psikiatrik për nevojat të kësaj gjykate nga data 09.06.2016 deri datën 30.08.2016. Pastaj është përdorur përvoja jonë në raste të ngjashme si dhe të dhënat nga literatura shkencore të cilat kanë lidhje me të ekzaminuarin tonë. Punimi është i profesorit numër një në Kroaci i cili merret me ketë problematik, autori quhet Polludroviq”, tha ai.

Drevinja tha se i akuzuari Kameraj vrasjen e kishte kryer në afekt për shkak të gjendjes tij emocionale në momentin kryerjes së veprës.

“Qenësorja, esencialja ka qenë gjendja e tij emocionale  e cila ka dominuar në mendimin e sajuar në pikën tre (të ekspertizës me shkrim), gjendja e tina (të akuzuarit) e krijuar emocionale e cila gjendja e ka çuar deri në kryerjen e veprës. Ajo gjendja ka qenë një gjendje mjaft e ngarkuar emocionale, ka qenë një lidhje e shkurtër e cila nuk e ka lënë që të mendojë për pasojat e përdorimit të armës, në këtë mënyrë ka qenë në gjendje të rënduar emocionale e cila e ka dominuar arsyen”, tha eksperti.

Ai tha së gjatë ekzaminimit e kanë pasur parasysh se i ekzaminuari ka konsumuar edhe alkool dhe duhan, mirëpo ai tha se ato nuk kanë mundur të ndikojnë në gjendjen e afektit.

Kryetari i trupit gjykues, prokurori dhe avokati i palës së dëmtuar insistuan të dinë rreth cilave konstatimeve shkencore është ardhur deri te përpilimi i këtij raportit.

Përgjigja e ekspertit ishte se në bazë të përvojës së ekipit ekzaminues ka ardhur përpilimi i raportit për gjendjen e të dyshuarit para dhe pas veprës së kryer.

Në fillim të kësaj seance kryetari i trupit gjykues bëri të ditur së Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e avokatit Haxhi Çekaj dhe ka marrë aktvendim që i njëjti ta përfaqësojë si avokat mbrojtës të akuzuarin Shefqet Kameraj.

Seancën e kaluar trupi gjykues e kishte përjashtuar avokatin Çekaj nga përfaqësimi i kësaj çështjeje penale pas arrestimit të tij nga Policia e Kosovës.

Me kërkesë të prokurorit Haxhi Sinanaj, seanca e paraparë të mbahet më 3 maj u shty për shkak se prokurori tha se do jetë jashtë shtetit. Kurse seanca e radhës për këtë shqyrtim gjyqësor do mbahet më 8 maj.

Të gjitha raportimet nga KALLXO.com rreth rrjedhës së vrasjes së Ilmi Lufajt vitin e kaluar nga rreshteri policor Shefqet Kameraj mund t’i gjeni në ketë link.