Polici i Drogës Fotografohet me Haradinajn

Një varg miqsh nga politika pretendohet t’i ketë polici i arrestuar për drogë në rajonin e Mitrovicës.

KALLXO.com ka vizituar profilin në Facebook të policit Shemsedin Geci ku ka hasur në një fotografi të publikuar nga ai, ku shihet së bashku me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidatin për Kryeministër, Ramush Haradinaj. Fotografia ishte publikuar më 28 nëntor 2016, në 104 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Kallxo.com ka pyetur në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për lidhjet e policit të drogës me kandidatin për kryeministër nga PAN-i.

Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj i thotë se Geci është vetëm njëri nga shumë qytetar që kërkojnë të kenë një fotografi me Haradinajn.

“Ne nuk kemi statistika, por janë disa qindra mijëra qytetarë që kanë bërë fotografi me Ramush Haradinajn.  Ramush Haradinaj, nuk i njeh mbi 99 për qind të njerëzve me të cilët ka bërë fotografi dhe fundja as që është e mundur t’i njohë. Edhe  fotografia për të cilën po flisni ju e ku në mesin e 5-6 vetave qenka edhe ky Geci, mund të jetë një rast i tillë”, tha Nitaj për KALLXO.com

Polici hetues i krimeve rajonale në Mitrovicë, Shemsedin Geci së bashku më një doktor Valon M janë arrestuar para disa ditësh Veri të Mitrovicës duke bartur një sasi droge prej rreth 7 kg të njëjtit janë duke u mbajtur në paraburgim me vendim të gjykatës së Mitrovicës.

http://kallxo.com/paraburgim-mjekut-dhe-policit-te-kapur-droge/