Policët e Arrestuar Pranonin Ryshfet në Dinarë Serbë

Policët e Trafikut, të arrestuar në aksionin gjigant të IPK-së, nuk zgjidhnin se në cilën valutë i merrnin të hollat.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën për paraburgim të prokurores Zejnie Kela, ku përshkruhen veprimet e policëve.

“Policët kanë pranuar kartëmonedha prej 5, 10, 20 e 50 euro si dhe kartëmonedha në shumën prej 100, 200, 500 e 1,000 dinarë serbë, me ç‘rast kanë përfituar dobi pasurore për veti dhe për tjetrin”, thuhet në kërkesën e prokurores Kela.

Policët e Trafikut të Mitrovicës nga të dy regjionet, jug dhe veri, ata të kontrollit të Autostradave dhe njësitit të Trafikut të Prizrenit, nga data 21 shtator 2016 deri më 12 dhjetor 2016 kishin qenë të kontrolluar në masa të fshehta nga video dhe audio-incizime që u vendosën në veturat e Policisë.

Inspektorati Policor i Kosovës së bashku më prokuroritë përgjegjëse kishin përdorur këto masa nën dyshimin se oficerët e Trafikut mund të jenë përfshirë në marrje të mitës

Nga 16 faqet e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë ndaj 35 policëve në regjionin e Mitrovicës të arrestuar edhe me 24 të tjerë nga regjioni i Prizrenit, 7 nga këto faqe janë me të dhëna për videot dhe audio-incizimet që janë bërë në automjetet e Policisë.

Dyshimi i bazuar i Prokurorisë, që përshkruhet në kërkesën e caktimit të masës së sigurisë, mbështetet në masat e fshehta të videove dhe audio-incizimeve të bërë për gati 3 muaj në automjetet e Policisë.

http://kallxo.com/tri-arsyet-e-prokurorise-per-paraburgimin-e-35-policeve/

Siç shihet në kërkesën për caktimin e paraburgimit të Prokurorisë së Mitrovicës për 35 zyrtarët e arrestuar, kopjen e së cilës e ka siguruar KALLXO.com, këta zyrtarë ishin përfshië në marrje ryshfeti.

“Policët kanë pranuar të holla nga kundërvajtësit në trafik në mënyrë që të njëjtëve mos t’u shqiptohen tiketat edhe pse ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës janë të obliguar t’u shqiptojnë tiketa”, theksohet në kërkesën e Prokurorisë.

Më 19 të këtij muaji, 59 zyrtarë policorë ishin ftuar për t’u marr në pyetje në IPK dhe nga aty zyrtarët policorë dolën të prangosur dhe me urdhër të prokurorit ata u dërguan në qendrat e mbajtjes.

Hilmi Mehmeti, kryeshef ekzekutiv i IPK-së, paralajmëroi se institucioni që ai drejton do të paraqes kallëzime penale ndaj 30 qytetarëve që u kanë dhënë ryshfet zyrtarëve policorë.

http://kallxo.com/59-zyrtare-policore-te-arrestuar/

Veprat për të cilat dyshohen zyrtarët e ndaluar policorë janë keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Nga 59 zyrtarë policorë të ndaluar 20 prej tyre ishin të Njësisë për kontrollin e Autostradave,  20 nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Mitrovicës së Veriut, 15 nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Mitrovicës së Jugut, dhe 4  zyrtarë nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Prizrenit.