Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të zyrtarit policor Shefqet Kameraj - Foto: KALLXO.com

Policët Dëshmojnë për Momentin e Vrasjes së Ilmi Lufajt

Dy zyrtarët policorë kanë dhënë versionin e tyre rreth vrasjes së Ilmi Lufajt nga rreshteri policor Shefqet Kameraj natën e 18 prillit 2016 në Deçan.

Avdi Shala dhe Enver Balaj dëshmuan para Gjykatës Themelore të Pejës rreth asaj që kishin parë dhe dëgjuar në natën kritike, kur kolegu i tyre, Shefqet Kameraj, me armën zyrtare e kishte privuar nga jeta Ilmi Lufajn.

Dëshmitari Avdi Shala tha së atë natë ishte udhëheqës i ndërrimit në Stacionin Policor të Deçanit bashkë me katër kolegët e tij.

Ai tha se disa minuta pasi kishin pranuar ndërrimin kishin dëgjuar tri të shtëna nga armë zjarri në Deçan.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Shala tha se pasi kishin dalë në vendin e ngjarjes me zyrtarë e tjerë policorë në dy vende të ndryshme kishin gjetur gëzhoja të plumbave.

Ai tha se më pas si udhëheqës i ndërrimit ka lajmëruar qendrën operative se ka pasur të shtëna me armë zjarri në qendër të Deçanit nga dy veturat në lëvizje të tipit “Range Rover”.

Avdi Shala gjatë dëshmisë së tij tha së përveç komandantin e Policisë së Deçanit e ka njoftuar edhe shefin e operativës dhe hetuesin kujdestar, rreshterin Shefqet Kameraj.

“Hetuesi kujdestar, rreshteri Shefqet Kameraj është njoftuar pasi është njoftuar edhe qendra operative dhe unë personalisht e kam njoftuar. I ka treguar për rastin që ka ndodhur dhe i kam treguar që është e nevojshme prania e njësitit të hetimeve me dalë në vend të ngjarjes”, tha Shala.

Më pas, në dëshminë e tij Shala tha se njësiti i trafikut kishte shoqëruar një veturë të tipit “Range Rover” që ishte ndalur në fshatin Ramun të Pejës.

Atë kohë bashkë me zyrtarët policorë dhe rreshterin policor Shefqet Kameraj ishte duke u bërë shikimi i vendit të ngjarjes ku kishte pasur të shtëna, te Rrethi në qendër të Deçanit.

“Sa ka qenë duke u bërë shiqimi ka ardhur një person, është afruar te vendi i ngjarjes. Ai ka qenë i njohur për mua dhe koleget e tjerë. Ka qenë tash i ndjeri Ilmi Lufaj. Ai ka biseduar me mua dhe më ka pyetur pse e ka ndalur policia e Pejës një shok timin, Besfort Elshanin. I kam thënë se ka disa punë policore dhe i kam thënë të largohet nga aty”, tha zyrtari policor në dëshminë e tij.

Ai tha se më pas kishte shkuar në Stacionin Policor të Deçanit për t’i kryer detyrat policore ndaj të ndaluarit me veturë, Besfort Elshani.

“Pas diku 5 minutash ka ardhur rreshteri Shefqet dhe më ka thënë së duhet të bastiset automjetit i dyshimtë. Rreshteri bashkë me të dyshuarin Besfort kanë dalë në oborrin e stacionit ku ishte automjeti i dyshimtë me qëllim të kontrollimit dhe bastisjes së automjetit. Unë kam qëndruar në zyrë”, shpjegoj ai.

Në dëshminë e tij Avdi Shala tha se pas disa minutave kishte dëgjuar disa britma në oborrin e Policisë me ç’rast kishte dalë për të parë se çfarë është duke ngjarë.

“Te porta kryesore jashtë rrethojës së Stacionit kam vërejtë zyrtarin policor Enver Balaj duke u ballafaquar me Ilmi Lufajn që të largohet nga aty. Pastaj nga ana tjetër e rrugës ka ardhur edhe Abedin Çeku (zyrtar policor) dhe të tre e kemi larguar Ilminë në një distancë. Aty tek porta ka pasur sharje dhe fyrje në drejtim të rreshterit Shefqet Kameraj, sharje me nanë”, tha ai.

Sipas tij, pasi e kishin larguar Ilmi Lufajn te një lokal përballë Stacionit Policor, ai ishte kthyer sërish brenda Stacionit Policor.

Më pas tha se, pas disa minutave, kishte dëgjuar dy të shtëna me armë dhe kishte dalë sërish për të parë çfarë ka ndodhur.

“Te porta hyrëse e kam takuar rreshterin Shefqet Kameraj i cili ma ka komunikuar lajmin se ka shtënë në drejtim të Ilmiut. Më pas kemi hyrë në Stacion, ku me ka dorëzuar armën”, deklaroi polici Avdi Shala.

Kurse, dëshmitari tjetër, zyrtari policor Enver Balaj tha se me detyrë atë natë ishte i caktuar te porta kryesore. Ai tha se fyerjet dhe kanosja ndaj rreshterit nga ana e Ilmi Lufajt ishte bërë te porta e Stacionit Policore.

Sipas tij, pasi e kishin larguar Ilmi Lufajn bashkë me dy zyrtarët rreth 50 metra larg, ai kishte mbetur i vetëm me të dhe ishte munduar ta qetësojë dhe ta bindte të largohej nga aty.

“Tu e marr me të mirë, në mënyrë vëllazërore, i kam thënë po të dërgoj në shtëpi me kerr temin personal. Te dyneri njëherë ka qenë ulur në karrike pastaj tentonte të nisej prapë nga Stacioni por është ndalur te shkallët e butikut. Tërë kohën jam mundu me qetësu dhe me bind që të largohet”, deklaroi Balaj.

Ai tha se më pas e kishte vërejtur që dikush po vjen prapa shpinës së tij gjersa po bisedonte me Ilmi Lufajn.

“I kam dëgjuar do fërkem tu ardhë dhe tu thanë: kan e shan ti? Kur jam kthy e kam parë Shefqetin me revole në dorë. I kam çu dy duart edhe i kam thanë: pashë rizenë e Zotit largohu! Në atë moment më është mënjanuar dhe i kam dëgjuar dy krisma. Nuk kam parë asgjë pos viktimën e shtrirë në tokë”, deklaroi ai.

Balaj në pyetjen e mbrojtjes tha se nuk qëndron pas raportit të lëshuar si oficer policor më 18 prill për shkak se nuk ishte ndjerë mirë atë kohë. Ai po ashtu tha se edhe në një pjesë të deklaratës të dhënë në Prokurori herën e parë se Lufaj ka sharë tërë kohën nuk qëndron, sepse siç tha ai nuk ishte ashtu.

Haxhi Çekaj, avokat i të akuzuarit Shefqet Kameraj kërkoi që mos të merren për prova asnjë deklaratë e Enver Balajt.

Mirëpo, një gjë të tillë nuk e aprovoi trupi gjykuese duke e marrë si të pabazë.

Të pabazë dhe joligjore kërkesën e avokatit Çekaj e cilësoi edhe avokati i palës së dëmtuar Gëzim Kollçaku.

Kurse prokurori i rastit, Haxhi Sinanaj, tha së të gjitha do dëshmohen në video-xhirimet se si ka ndodhur rasti.

Kurse vetë i akuzuari Shefqet Kameraj tha se ka vërejtje në deklarimet e Balajt sepse sipas tij as dëshmia e tij në Prokurori dhe Gjykatë nuk janë të vërteta.

Për seancën e radhës, që do mbahet nesër, do dëgjohet në cilësi të dëshmitarit zyrtari tjetër policor, Abedin Çeku.

Sot ishte paraparë që në cilësinë e të dëmtuarit të dëshmojë edhe Zenel Lufaj, por sipas avokatit të tij për shkak të mërzisë dhe humbjes së madhe ai nuk ka mundur të vinte në seancë.

Ai tha se i dëmtuari i referohet deklaratës së dhënë në prokurori.

Gjatë ditëve në vijim do mbahen 5 shqyrtime gjyqësore radhazi për vrasjen e Ilmi Lufajt me 18 prill 2016 afër Stacionit Policor, ku i akuzuar është rreshteri Shefqet Kameraj.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Të gjitha raportet mund t’i gjeni në këtë link.