Bob Dylan | Foto: badosa

Poeti e Profeti

Poet me ndikim më të madh se Bob Dylan nuk mund të gjendet sot. Për gjithë ata që dëgjojnë jo vetëm tingujt po edhe fjalët, le të kujtojmë këngët “Knockin’ on Heaven’s door” ose “Blowin’ in the wind”. Ai e ka fituar moti Nobelin e tij, por çmimi megjithatë është një lloj falënderimi për çfarë artisti i ka falë botës, letërsisë, artit. Universi i tij poetik na flet se si është të jetosh në botën tonë, në kohën tonë.

Një pyetje e thjeshtë të cilës të gjithë u munduan t’i japin përgjigje: Çfarë ka ndryshuar që një tekstshkrues ta fitojë çmimin Nobel për letërsi? Dashuruesit e muzikës rok, më saktë, dashuruesit e poezisë së kësaj fryme, e kanë ditur moti, po dhe vetë legjenda e rokut gjithnjë ka thënë “Jam poet dhe këtë e di”. Pesë vjet më parë një tjetër ikonë e muzikës, kanadezi Leonard Cohen fitoi një çmim të madh letrar, Princi i Asturias. Dylan, këtë vit, bëhet tekstshkruesi i parë që fiton Nobelin për letërsinë. Arsyetimi i çmimit në të dy rastet nënvizon “ndikimin e madh të autorëve në disa gjenerata”.

Kush më shumë se Bob Dylan e ka merituar atëherë, fjalët e të cilit kanë inspiruar njerëzit në vende e toka të ndryshme, duke i shfrytëzuar ato edhe në protestë e revoltë kundër politikës; fjalët e të cilit kanë inspiruar edhe njerëz të mëdhenj duke u dhënë mesazhe të qarta; fjalët e të cilit kanë inspiruar edhe kreun më të lartë religjioz në botë, një Papë – Papa Gjon Pali II, i cili pati mbajtur fjalimin e tij vjetor para besimtarëve, frymëzuar nga kënga “Blowin’ in the wind”. Nuk është thellësia e tingujve ajo që ka frymëzuar botën në këtë rast, thellësia e madhe është ajo e fjalëve dhe e lojës poetike, thellësia e shpirtit të poezisë, e shpirtit njerëzor, e cila aq thjesht e me aq bukuri na kujton si është të jetosh sot.

Ka disa vjet që Bob Dylan përfolej si fitues i mundshëm i çmimit të letrave, në gjithë këtë kohë kritikët thonin se në mos asgjë tjetër, nominimi i tij qe bërë të paktën për të shkaktuar bujë dhe debate nga kritikët e letërsisë, të muzikës apo kritikët e artit në përgjithësi. Po si duket kohërat kanë ndryshuar, siç na kujton vetë artisti në një këngë “Time’s has change”. Kohërat kanë ndryshuar dhe Dylan ka qenë brilant në kapjen e poetizimin e këtij ndryshimi.

Asnjëri nga emrat në konkurrencë nuk e ka merituar më shumë Nobelin, sepse vështirë të gjendet sot një poet- këngëtar me më shumë ndikim se Bob Dylan. Poeti që “i këndon poezitë e veta”, është thënë ta ketë fituar atë “për shprehjet e reja poetike në traditën e madhe të këngës amerikane; një poet i madh në botën anglishfolëse; të jetë një model i jashtëzakonshëm, origjinal, krijues e zbulues që nuk e përsërit vetveten”, madje sekretarja e Akademisë Suedeze, në këtë arsyetim, si finale ka vënë në krahasim punën e Dylan-it me atë të Homerit dhe Safos antike. Megjithë vlerat, shekujt dhe rëndësinë, ajo nënvizoi se “poezi për t’u kënduar krijonin ata, poezi për t’u kënduar krijon Dylan”. Një goxha vlerësim e një goxha krahasim. Fitorja më e madhe kësaj herë, është fitorja e poezisë. Nëse poezia me kohë, është kthyer e ka hyr në një lloj terrori didaktik, duke ‘u bërë’ me zor dhe e shtrirë në një retorikë të bezdisshme edukative, shpërblimi dhënë Bob Dylan-it është mbi të gjitha çmim dhënë poezisë, lirisë e aventurës së saj.

Jo shumë kohë më parë, Dylan qe shpallur tekstshkruesi më i mirë i të gjitha kohëve, po pak kush e ka konsideruar poet. Në vitet e fundit, nominimi i përfolur, e sot fitorja e tij çoi shumë bujë- e gjitha rreth asaj se nëse ai duhet ose jo të konsiderohet kandidat për çmimin, deri te diskutimet që e kanë vënë në pikëpyetje krijuesin, nëse ai është fare poet apo vetëm një tekstshkrues, ani se më i miri. Mediat botërore “vluan” pro e contra, e edhe rrjetet sociale. Por mbase e gjithë historia për kandidatët e sivjemë të çmimit Nobel, ku fitues doli një “super rock star” ka lidhje dhe me tipin e letërsisë që krijohet në botë. New York Times shkruante se “Ai është i jashtëzakonshëm, por nuk është shkrimtar. Duke e shpërblyer atë Akademia suedeze ka bërë një gafë të madhe, duke ia vjedhur mundësinë një “shkrimtari të vërtetë” të kapërcejë në tregun botëror”. Kështu u tha me pak fjalë, dhe NYT nuk ishte i vetmi, e tillë qe edhe bota e letrave amerikane “u shpërblye një “pop star” dhe jo një shkrimtar i vërtetë!!”

Derisa në mediat botërore, argumentimet janë të ndryshme, në rrjetet sociale shqiptare, ka gjasa që shumë nga kritikuesit të mos i njohin krijuesit-kandidatë. Nxitës i reagimeve ishte kush tjetër pos emri i Ismail Kadaresë, njëri prej të mëdhenjve të letërsisë shqipe. Kadare, fitues i çmimeve prestigjioze kombëtare e ndërkombëtare, vite më parë u tha se kishte qenë më afër se kurrë çmimit të madh. Emri i tij dhe i të tjerëve në këtë rreth përfliten vit për vit si kandidatë të mundshëm, por gjasat që letërsia shqipe “ta vjedhë” më në fund një Nobel duken të vogla. Pse mediat e rrjetet sociale në shqipe u çuan peshë për humbjen e Kadaresë, ndoshta është pse “djegia” e kandidaturës së tij nënkupton humbjen e një shansi që mund të vijë një herë në 50 ose 100 vjet. Apo ndoshta pse shqiptarët duhet të presin edhe një shekull që roku “made in Kosova” të ketë një Bob Dylan, i cili mund t’ia sjellë një çmim të madhe letrave shqipe… Kushedi.

Dylan-in të shumtë e kanë quajtur “profet të muzikës”, pak megjithatë e kanë njohur poezinë e këngës së tij. “Jam poet dhe këtë e di” thosh nobelisti. Ai ka pasur guximin të flasë ndryshe me poezinë, për të tjerët duhet guxim e liri për ta kuptuar bisedën e tij. Një gotë për poezinë, aventurën e lirinë e saj!